Bolivia ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Izraelin; Lufta në Rripin e Gazës, agresive!
Bolivia është bërë vendi i parë i Amerikës Latine që ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Izraelin për shkak të veprimeve ushtarake të përshkruara si “agresive dhe joproporcionale” në Gaza.
Vendi bëri thirrje për një armëpushim dhe tha se do të furnizonte Rripin e bllokuar të Gazës me ndihma.
Një zyrtar izraelit tha se masa ishte “një dorëzim ndaj terrorizmit”.
Lior Haiat akuzoi qeverinë boliviane për “radhitje me organizatën terroriste Hamas”.
Zëvendësministri i Jashtëm i Bolivisë, Fredi Mamani tha se qeveria kishte marrë vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet “në shenjë mohimi dhe dënimi të ofensivës ushtarake agresive dhe disproporcionale izraelite që po ndodh në Rripin e Gazës”.
Ai shtoi se vendi donte t’i jepej fund bllokadës së Izraelit që po parandalonte “hyrjen e ushqimit, ujit dhe elementëve të tjerë thelbësorë për jetën”.
Gaza ka qenë nën një rrethim izraelit për javë të tëra, me ndihma thelbësore që u arrin njerëzve vetëm përmes kalimit të Rafahut të Egjiptit në mënyrë sporadike.
“Izraeli dënon mbështetjen e Bolivisë për terrorizmin dhe nënshtrimin e saj ndaj regjimit iranian, të cilat dëshmojnë vlerat që qeveria e Bolivisë përfaqëson,” tha zoti Haiat në përgjigje.
Megjithatë Bolivia nuk është i vetmi vend i Amerikës Latine që ka filluar të ndërmarrë hapa diplomatikë kundër Izraelit.
Presidenti i Kilit Gabriel Boriç tha të martën se ai po tërhiqte ambasadorin e vendit në Tel Aviv për konsultime “duke pasur parasysh shkeljet e papranueshme të Ligjit Ndërkombëtar Humanitar që Izraeli ka bërë në Rripin e Gazës”.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro ka vendosur të thërras ambasadorin në Izrael për konsultim.
Presidenti i Brazilit gjithashtu Luiz Inácio Lula da Silva kërkoi një armëpushim.
Bolivia ka rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin vetëm në vitin 2019. Më parë i kishte ndërprerë lidhjet me vendin në vitin 2009 nën Presidentin Evo Morales, sërish për të protestuar kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.