Bora “shtron” Moskën, rekord reshjesh brenda 24 orëve
Shiu i ngrirë dhe reshjet e dëborës i kanë marrë jetën një personi në Moskë dhe kanë rrëzuar mëse 2.000 pemë. Thuajse gjysmë metri dëbore mbuloi kryeqytetin rus brenda 24 orëve, duke shënuar kështu një nivel rekord në historinë e të dhënave të regjistruara të motit.
Moska është goditur nga reshje të dendura dëbore përgjatë fundjavës, gjë që ka shkaktuar vonesa në transport dhe kushte të rrezikshme për banorët.
Shiu i ngrirë i shoqëruar nga 43 centimetra dëborë mbuloi kryeqytetin brenda 24 orëve, duke e kthyer të dielën në ditën me reshjet më të dendura që kur qyteti filloi regjistrimin e të dhënave të motit, sipas meteorologëve.
Një person humbi jetën si pasojë e kushteve të vështira të shkaktuara nga moti ekstrem i dimrit ndërkohë që 5 persona të tjerë janë plagosur, sipas konfirmimeve nga kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin.
Shkak për regjistrimin e plagosjeve janë bërë pemët e rrëzuara për shkak të dëborës. Zyrtarët përllogarisin se janë të paktën 2.000 pemë të cilat janë rrëzuar përqark qytetit, që gjithashtu ka përjetuar ndërprerje të energjisë si pasojë e motit të keq.
Pavarësisht vështirësive të krijuara, shumë qytetarë duket se e kanë shijuar “dimrin e vërtetë rus” pas ngrohtësisë së pazakontë të kësaj stine në vitet e mëparshme. Kujtojmë se kryeqyteti rus theu një tjetër rekord gjatë dhjetorit, kur regjistroi sasitë më të pakëta të diellit në një muaj.
KOHA JONË SONDAZH

