Bota dënon masakrën në Mianmar, 114 veta raportohen të vrarë gjatë protestave kundër juntës ushtarake
Po rëndohet bilanci i viktimave në Mianmar, dhe mbi 100 persona humbën jetën të shtunën gjatë protestës popullore kundër juntës ushtarake që ka marrë me forcë kontrollin e qeverisë.
Protestat kundër ushtrisë birmane që ka marrë pushtetin në Mianmar përfunduan të shtunën me më shumë se 110 qytetarë të vrarë.
Dita më e përgjakshme në gati 2 muaj u dënua nga shefat e mbrojtjes nga 12 shtete të botës.
“Një ushtri profesioniste vepron sipas standardeve ndërkombëtare dhe është përgjegjëse për mbrojtjen, jo për dhunimin e popullit të cilit i shërben. I bëjmë thirrje Forcave të Armatosura të Mianmarit të ndalin dhunën,” – theksuan sekretarët dhe ministrat e mbrojtjes nga SHBA-ja, Australia, Gjermania, Greqia, Italia dhe vend të tjera.
Hetuesit e Kombeve të Bashkuara që po e monitorojnë situatën e cilësuan ofensivën ushtarake të fundjavës, një masakër të vërtetë.
Mes viktimave mbetën të vrarë edhe disa fëmijë, ndërsa për herë të parë u përdorën armë të kalibrit të madh, madje edhe goditje nga ajri kundër grupeve të armatosura etnike.
Në gjithë Mianmarin u mbajtën të dielën varrimet për të vrarët e ditëve të fundit.
Sipas shoqatave lokale që po llogaritin bilancin jozyrtarisht, mbi 420 persona kenë mbetur viktima që prej 1 shkurtit, kur ushtria mori me forcë pushtetin ekzekutiv të vendit.
Një ditë më parë, ushtria mbajti edhe një paradë me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura, ndërsa gjenerali që tani drejton vendin tha se ai po përpiqet të ruajë demokracinë në vend.