Bota e shqetësuar për gratë afgane, ultimatumi për talibanët
Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Bashkimi Europian, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për situatën në Afganistan, duke thënë se janë “thellësisht të shqetësuar për gratë dhe vajzat afgane” pasi talibanët kanë marrë në kontroll shtetin.
”Atyre që kanë në dorë pushtetin në vend” (talibanëve) të mbrojnë “të drejtat për arsimim, punë dhe liri për të gjithë qytetarët. Gratë dhe vajzat afgane, si dhe të gjithë qytetarët afganë, meritojnë të jetojnë me siguri dhe dinjitet”, shkruhet në deklaratë, duke shtuar se “do të monitorojnë nga afër çdo qeveri të ardhshme”.
Më herët talibanët kanë thënë se do të qeverisin Afganistanin, sipas sistemit ligjor të Islamit, ligjit të Sheriatit dhe se gratë mund të përfshihen në mënyrë aktive në shoqëri “nën kornizat e sheriatit”.