Bota ”hap thesin”, shpenzimet ushtarake mbërrijnë nivel rekord
Lufta ruse në Ukrainë, në këto 60 ditë ka treguar sesa me rëndësi është mbrojtja dhe armët. Shpenzimet globale në këtë fushë rezulton të kenë pësuar një rritje të ndjeshme vitin e kaluar, duke kapërcyer për herë të parë nivelin e 2 trilionë dollarëve.
Shpenzimet e mbrojtjes u rritën me 0.7 për qind vitin e kaluar, në krahasim me 2020-tën, duke shkuar në 2.113 trilionë dollarë. Pesë janë vendet me shpenzimet më të mëdha: Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Britania dhe Rusia, nënvizohet në raport. Shtetet e Bashkuara përbëjnë 38 për qind të shpenzimeve ushtarake, ndërsa Kina 14 për qind.
Sipas Institutit, shpenzimet ushtarake në Rusi u rritën për 2.9 për qind, përkatësisht në 65.9 miliardë dollarë apo 4.1 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.
Rritja e shpenzimeve erdhi në kohën kur Moska po përgatitej për pushtimin e Ukrainës, thuhet në dokument. Ukraina, në anën tjetër, regjistroi rënie të shpenzimeve të mbrojtjes vitin e kaluar në 5.9 miliardë dollarë apo 3.2 për qind të bruto prodhimit të saj të brendshëm.