Brazil, protesta ndaj presidentit Bolsonaro për masat ndaj Covid-19
Brazili është nga vendet më të prekura të Amerikës Latine por vazhdon të kritikohet për masat ende të pakëta kundër pandemisë së koronavirusit.
Një simfoni zhurmash tenxheresh e tiganësh kumbuan të mërkurën në mijëra ballkonet e qyteteve braziliane në San-Paolo dhe Rio-de-Zhanejro.
Protesta masive që bëri bashkë miliona banorë erdhi si kundërshtim ndaj mungesës së theksuar të masave të qeverisë për pandeminë e koronavirusit.
Brazili raporton të paktën 4 viktima dhe mbi 500 të infektuar me sëmundjen ngjitëse Covid-19, nga të cilët edhe dy ministra të vendit dhe kreu i Senatit.
Në qendër të kritikave qëndron presidenti i vendit, Zhair Bolsonaro, i cili më parë e ka quajtur shpërthimin e epidemisë një fantazi.
Thirrjet “Bolsonaro jashtë” u projektuan natën edhe në muret e godinave shumëkatëshe.
“Kjo protestë me tenxhere e tiganë është e vonuar sepse fansat e Bolsonaros janë të verbuar. U desh koronavirusi që njerëzit ta kuptonin se Bolsonaro është një mashtrues,” shprehet një nga protestuesit.
Kreu i shtetit brazilian paralajmëroi një ditë më parë se vendin e presin ditë të vështira, por kërkoi vetëpërmbajtje nga populli.
“Koronavirusi është serioz, është shqetësues, por këtë problem nuk e ballafaqojmë dot nëse kapemi pas histerisë apo rrëmujës kombëtare,” deklaroi Bolsonaro, i cili vetë është testuar dy herë për mundësinë e bartjes së virusit vdekjeprurës.
Shteti amerikanojugor ka menduar të mbyllë kufijtë tokësorë për të ulur rrezikun e infeksioneve, do ndihmojë financiarisht familjet më të varfra dhe sektorët e prekur të ekonomisë.
Të gjitha vendet e Amerikës Latine raportojnë raste me koronavirus.
Kontinenti mendohet se do i bënte ballë më lehtë pandemisë Covid-19 për shkak të moshës mesatare relativisht të re që zbret deri 27 vjeç në Kolumbi apo 30 në Brazil, por vendet në krizë ekonomike dhe me spitale të mbipopulluara si Venezuela do e kalonin më tragjikisht.