Brazili shënon 3,251 viktima brenda ditës nga virusi, qarkullon një variant i ri

Përhapja e koronavirusit në Brazil shkaktoi të martën një tjetër numër rekord jetësh të humbura, mbi 3,250 viktima brenda ditës.

Vendi amerikanojugor ka numrin më të lartë në botë te fataliteteve ditore, dhe një bilanc total që është fare pranë vlerës 300 mijë.

Në Brazil po qarkullon një variant i koronavirusit që është më i transmetueshëm dhe po vret edhe moshat më të reja.

Organizata Panamerikane e Shëndetit thotë se i gjithë kontinenti është i rrezikuar.

“Fatkeqësisht, situata serioze në Brazil po shtrihet edhe në vendet fqinje. Janë rritur rastet në Venezuelë, po rriten në Kili, Paraguaj, Uruguaj ku janë zënë shumica e shtretërve të terapisë intensive,” tha Carissa Etienne, drejtoresha e organizatës.

Sipas Ministrisë braziliane të Shëndetësisë, spitalet kanë mungesa të theksuara oksigjeni për pacientët me covid, ndërsa në San-Paolo, 135 veta humbën jetën javën e shkuar duke pritur radhën e shtrimit në spital.

Presidenti, Zhair Bolsonaro, tha se strategjia që i mbetet vendit tani është të shpejtojë fushatën e vaksinimit për tërë popullatën.

Ndërkohë, në mbrëmje, brazilianët në gjithë vendin dolën ballkoneve e dritare duke zhurmuar me goditjen e tenxhereve e tiganëve në shenjë proteste ndaj presidentit Bolsonaro, i cili akuzohet si shkaktari i krizës së rëndë shëndetësore.

SHKARKO APP