Brexit, Macron: Trajtimi i Francës për Britaninë do të ndryshojë
Presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi se ndonëse Franca ka dëshiruar të mbajë lidhje të forta me Britaninë pas Brexit-it, tani ky shtet nuk mund të presë që të trajtohet në të njëjtën mënyrë si në kohën kur ishte ende pjesë e Bashkimit Europian.
“Nuk mund të jetë brenda dhe jashtë”, ka thënë Macron, duke iu referuar Mbretërisë së Bashkuar. Macron shtoi se ai do të mbrojë interesat e peshkatarëve, bujqve dhe punëtorëve francezë, në negociatat që do të zhvillohen në të ardhmen mes Britanisë dhe bllokut europian.
Lideri francez, siç kujton REL, njihet për linjën e tij të ashpër ndaj Brexit-it, të cilën e ka ndjekur që në fazat e para të këtij procesi. Pas shkëputjes nga BE-ja, që ndodhi mbrëmjen e 31 janarit, Mbretëria e Bashkuar hyn tani në një periudhë tranzitore 11-mujore, gjatë të cilës do t’i duhet të zbatojë rregullat e bllokut, por pa u përfaqësuar në në institucionet e tij.
Kjo periudhë pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor. Shkëputja e Britanisë erdhi pas referendumit të organizuar në 2016-tën, në të cilën 52 përqind e votuesve britanikë u shprehën pro daljes nga unioni, dhe 48 përqind ishin kundër.