Brexit/ Në parlament votohet më 31 janar 2020
Ligjvënësit britanikë mbështetën planin e Boris Johnsonit për shkëputjen nga BE-ja, duke treguar kështu se sagës tre vjeçare të shkëputjes se britanisë nga blloku europian, po i vjen fundi.
Parlamenti i ri i vendit i kontrolluar tashmë nga konservatorët, e miratoi projektligjin me 358 vota kundrejt 234 votave kundër. Marrëveshja e largimit nga BE-ja do të kalojë edhe në verifikime të mëtejshme në parlament, por për kryeministrin britanik tashmë vendi është realisht shumë pranë “kryerjes se Brexitit“.
Votimi në parim mbi marrëveshjen e shkëputjes e fut Britaninë në rrjedhën e duhur në mënyrë që shkëputja të realizohet në 31 janar. Ky ishte premtimi kryesor i fushatës së Johnson, që triumfoi me një shumicë të qartë parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme të javës së kaluar.
Përpjekjet e mëparshme për të miratuar në parlament paktin e largimit nga Bashkimi Europian, kishin dështuar. Ligjvënësin kundërshtonit pjesë të marrëveshjeve dhe kërkonin një zë më të madh në këtë proces.
Por fitorja I jep praktikisht Johnsonit fuqinë ta zgjidhë çështjen sipas kushteve të tij. Në bazë të projektligjit, Londra duhet t`I mbyllë bisedimet tregtare me bllokun deri në fund të vitit 2020. Ekspertët e tregtisë dhe zyrtarët e BE-së thonë se arritja e një marrëveshje për tregtinë së lirë brenda 11 muajve do të jetë e vështirë, por Johnson e bëri të qartë se nuk do ta pranojë shtyrje të tjera. Ndërkohë në projektligj janë bërë ndryshime që pengojnë ministrat të zgjasin periudhën e tranzicionit nga BE-ja.
Kjo gjë ka ndezur kambanat e alarmit tek bizneset, të cilat druhen se vendi do të përballet me një Brexit “pa marrëveshje” në fillim të vitit 2021. Projektligji pritet të miratohet përfundimisht në janar, përpara afatit të parashikuar për shkëputjen e Britanisë nga blloku, 31 janarit.
Marrëveshja e divorcit duhet gjithashtu të ratifikohet nga Parlamenti Evropian. Nënpresidenti i Parlamentit Evropian Pedro Silva Pereira ka thënë se pritshmëritë janë që kjo të ndodhë deri më 29 janar. Pas Brexit-it priten shumë pak ndryshime të menjëhershme. Defakto Britani do të vazhdojë të jetë anëtare e BE-së gjatë periudhës 11-mujore të tranzicionit që përfundon në dhjetor 2020.