Britani, 70 vjeçarët në shtëpi, numërohen 1,140 të infektuar, dyfishohen vdekjet në 21
Qeveria britanike do botojë javën e ardhshme masat urgjente për të përballuar rastet në rritje të epidemisë së koronavirusit. Paniku i sëmundjes ka prekur popullatën e cila po vërshon supermarketeve për të siguruar furnizime.
Shoqata e supermarketeve britanike apeloi të dielën qytetarët të ndalin blerjet nga paniku për shkak të epidemisë së koronavirusit, pasi furnizimet e tepërta rrezikojnë të krijojnë mungesa për të tjerët.
Të dielën në Londër u vërejt boshatisje e banakëve të ushqimoreve nga produktet e konservuara, nga makaronat, dezinfektuesit dhe letrat higjienike, duke u kujtuar shitësve sezonin e blerjeve për Krishtlindje.
“Qytetarët duhet të mendojnë vërtet për impaktin që veprimet e tyre kanë mbi të tjerët, të sigurohen që të blejnë vetëm ato gjëra që u nevojiten,” deklaroi ministri i Shëndetësisë, Met Henkok.
Në vend deri tani raportohen mbi 1,100 të infektuar dhe mbi 21 viktima më sëmundjen Kovid-19, të gjithë mbi moshën 60 vjeç e me shëndet të dobët.
Në javët që vijnë, planifikohet që banorët e vendit mbi moshën 70 vjeç dhe ata me sëmundje të caktuara të urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi për të mos rrezikuar marrjen e infeksionit, ndërsa do të anulohen aktivitetet publike masive dhe po shihet mundësia e pezullimit të shkollave.
Opinioni publik vendës është i ndarë rreth masave të vonuara të qeverisë ndaj epidemisë.
“Jam dakord sepse kam nipërit në shkollë, por nëse ata rrinë në shtëpi, edhe mamaja dhe babai i tyre do jenë në shtëpi, dhe kush do punojë pastaj,” thotë një banore e kryeqytetit britanik.
“Unë kam besim se qeveria do bëjë më të mirën për vendin, edhe pse për këtë ka mendime të ndryshme, por thelbi mendoj se është të mos ngjallim panik,” shton një qytetar tjetër i Londrës.
Ekzekutivi britanik thotë se është i përgatitur t’i bëjë ballë çdo krize epidemike ndërsa një nismë ligjore e jashtëzakonshme do botohet javën që vjen.