Britani e Madhe, distancimi social në aeroporte është i pamundur
Distancimi social në aeroporte është fizikisht i pamundur, ndaj duhet kërkuar një zgjidhje tjetër për ta bërë udhëtimin ajror më të sigurt. Kështu është shprehur shefi i aeroportit “Heathrow” në Britaninë e Madhe.
“Distanca sociale nuk funksionon në asnjë formë në transportin publik, e jo më aeroporte. Për këtë arsye është e domosdoshme që aeroportet të përfshijnë kontrollin shëndetësor dhe pasagjerët detyrimisht të mbajnë maska, ” tha Holland Kaye.
Shefi ekzekutiv i aeroportit “Heathrow” nënvizoi se derisa të mund të zhvillohet një vaksinë kundër koronavirusit, aeroportet duhet të përforcojnë masat për të minimizuar infeksionin e sëmundjes. Ai thekson se personat që pas ekzaminimit shëndetësor rezultojnë me temperaturë të lartë, nuk mund të lejohen të fluturojnë.
I cilësuar si aeroporti më i ngarkuar në Evropë, sa i përket numrit të lartë të pasagjerëve, “Heathrow” përbën shqetësim të shtuar edhe për punonjësit. Sindikata e punëtorëve shprehet se ata kanë frikë se mund të infektohen me virusin vdekjeprurës nga pasagjerët që vijnë nga vende ku Covid-19 është shumë i përhapur.
Vetëm në dy javët e fundit, tre anëtarë të GMB që punojnë në aeroportin Heathrow kanë humbur jetën nga koronavirusi. Ndaj kërkohet që aeroporti të detyrojë distancimin social për të mbrojtur stafin dhe pasagjerët.
KOHA JONË SONDAZH

