Britani, për shkak të Covidit nuk mund të rrish me familjarë ose shoqëri më shumë se 10 veta
Në Britaninë e Madhe, autoritetet po mendojnë si të lehtësojnë gradualisht masat e karantinës kundër pandemisë.
Me një propozim të ri të qeverisë që ende nuk ka marrë formën zyrtare, çdo personi që nuk është në kategorinë më të rrezikuar nga koronavirusi do i lejohet të krijojë një listë deri në 10 veta të rrethit të vet të ngushtë familjar ose shoqëror, që vijnë nga jo më shumë se dy familje të ndryshme.
Me këtë mënyrë ata do të mund të shkonin lirisht në shtëpitë e njëri-tjetrit, të drekonin së bashku dhe të organizonin aktivitete të tjera sociale.
Qeveria angleze ka marrë këshilla nga shkencëtarët se ambientet e jashtme janë më të sigurta nga koronavirusi sesa mendohej fillimisht, duke rritur shpresat për rihapjen e parqeve.
Pas këtij lajmi, një ditë më parë, duke përfituar edhe nga moti me diell, në qytete u raportua një rritje me 10 për qind e trafikut rrugor.
Britania e Madhe qëndron nën regjimin e karantinës prej një muaji, dhe po përjeton trend konstant të vdekshmërisë nga sëmundja, me mbi 19,500 persona që kanë humbur jetën.
Vendi ndodhet në pikun e infeksionit me mbi 140 mijë qytetarë që shfaqin simptoma të Covid-19.
Autoritetet thonë se nuk ka gjasa që masat e vetizolimit të lehtësohen para datës 7 maj, pasi i druhen rrezikut të një vale të dytë pandemike.
Në Belgjikën fqinje, ndërkohë, të premten kryeministrja e vendit njoftoi se nga 4 maji do të rihapen më shumë biznese, përpos atyre të tanishme si ushqimoret, kopshtet dhe farmacitë.
Njerëzit do të mund të takojnë jashtë deri në dy persona që nuk jetojnë me ta, të rriturit dhe fëmijët mbi 12 vjeç do të jenë të detyruar të mbajnë maska kur përdorin transportin publik, nga 18 maji shkollat do të presin maksimumi 10 nxënës për klasë, ndërsa baret, restorantet dhe disa pika turistike nuk do të hapen para datës 8 qershor.
Belgjika ka konfirmuar mbi 44 mijë raste me Covid-19 dhe më shumë se 6,600 jetë të humbura prej sëmundjes infektive, më shumë se gjysma e tyre në klinikat dhe shtëpitë për të moshuarit.