Britania aplikon karta për të identifikuar qytetarët e vaksinuar
Personat që do të vaksinohen për koronavirusin në Britaninë e Madhe do të pajisen me një kartë identiteti që vërteton se ata e kanë kryer injeksionin.
Mediat britanike kanë publikuar foto të kësaj karte, e cila pritet të shpërndahet pas nisjes së vaksinimeve duke filluar nga dita e martë.Karta përmban hapësirë të detajuar për emrin e vaksinës, numrin e saj dhe datën kur është injektuar. Në kartë me shkronja të mëdha shkruhet “Sigurohuni që ta mbani këtë kartë në çantë ose portofol”.
Personat e parë që do të vaksinohen janë personat mbi 80-vjeç, mjekët dhe punonjësit e shtëpive të kujdesit.
Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë në botë që miratoi përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech për shpërndarje masive. Sipas rregullatorit MHRA, vaksina është e sigurt dhe do të sigurojë deri në 95 për qind mbrojtje kundër Covid-19.