Britania dhe BE bien dakord për marrëveshjen tregtare pas Brexit
Britania e Madhe ka arritur marrëveshje tregtare pas Brexitit me Bashkimin Evropian këtë të enjten.
Bëhet me dije se kjo marrëveshje ka ardhur shtatë ditë para se Britania të dal nga blloku evropian. Qeveria britanike është shprehur se “marrëveshja është një lajm fantastik për familjet dhe bizneset në çdo pjesë të Mbretërisë së Bashkuar”.
“Ne kemi marrë përsëri kontrollin e parave tona, kufijve, ligjeve, tregtisë dhe ujërave tona të peshkimit. Kjo do të thotë që ne do të kemi pavarësi të plotë politike dhe ekonomike më 1 janar 2021″, tha ndër të tjera qeveria britanike përmes një deklarate.
Ndërkohë që për këtë marrëveshje ka reaguar dhe Ursula Van der Leyen, duke e konsideruar të drejtë dhe të ekuilibruar.
“Kjo është një marrëveshje e drejtë dhe e ekuilibruar”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Van der Leyen.
“Unë gjithashtu besoj se kjo marrëveshje është në interes të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo do të vendosë baza të forta për një fillim të ri me një mik afatgjatë. Dhe kjo do të thotë që ne më në fund mund ta lëmë Brexitin prapa nesh, dhe Evropa po vazhdon të lëvizë përpara”, shtoi ndër të tjera ajo.
Të dyja palët, si Bashkimi Europian edhe Britania e Madhe, kanë kohë deri më 31 dhjetor që ta miratojnë këtë marrëveshje në parlamentet përkatëse.
Kjo pasi në këtë datë, Britania përfundon periudhën tranzitore pas largimit zyrtar nga blloku evropian në janar në këtij viti.