Britania e Madhe mund të përballet me një “tronditje ekonomike”
Një dalje pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian, do të rezultojë me një tronditje të menjëhershme për ekonominë e Britanisë së Madhe, ka paralajmëruar guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney.
Produkte të tillë si benzina dhe ushqimi do të bëhen më të shtrenjta, tha ai.
Ai parashikoi që vlera e monedhës britanike do të binte si pasojë e asaj që ai e përshkroi si një “shok të vërtetë ekonomik”.
Banka e Anglisë ka thënë se ekonomia pritet të rritet me 1.3 përqind këtë vit, shifër kjo më e ulët, se parashikimi i saj i mëhershëm prej 1.5 përqind, nëse Britania e Madhe largohet nga BE-ja me një marrëveshje.
Banka nuk tha se çfarë pritej të ndodhte në rastin e një Brexiti pa marrëveshje.
Britania ka arritur marrëveshje me BE-në mbi kushtet e divorcit nëntorin e kaluar, pas dy vjetësh negociata.
Por, ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik, kryesisht për shkak të politikave në kufirin me Irlandën Veriore, çfarë ka çuar edhe në dorëheqjen e Theresa May nga posti i kryeministres.
Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson, është shprehur se vendi i tij, do të dalë më 31 tetor nga Bashkimi Evropian, me ose pa marrëveshje.
Bashkimi Evropian, në anën tjetër, ka thënë se nuk është i gatshëm të rinegociojë marrëveshjen për Brexitin.