Britania e papërgatitur për Omicron, me mungesa të mëdha të stafit në spitale
Britania e Madhe do të angazhojë pjesëtarë të ushtrisë në spitalet në Londër për të lehtësuar situatën pas mungesave të mëdha të stafit, si pasojë e shpërthimit të variantit Omicron të koronavirusit, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.
Rreth 200 pjesëtarë të forcave të armatosura do t’iu bashkohen punëtorëve shëndetësorë në Londër, qytet i cili është goditur rëndë nga shpërthimi ri dhe për pasojë ka pasur mungesa nëpër spitale.
“Burrat dhe gratë e forcave tona të armatosura janë duke ndihmuar edhe një herë kolegët e tyre të dedikuar të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë, teksa punojnë për të mbrojtur kombin nga koronavirusi”, ka thënë Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.
Sipas Ministrisë, në mesin e të angazhuarve do të jenë 40 mjekë ushtarakë dhe 160 pjesëtarë tjerë të përgjithshëm.
Britania ka regjistruar të martën një rekord prej 218,724 rasteve të reja me koronavirus, njëherësh shifrën më të lartë ditore prej shpërthimit të pandemisë.
Matthew Taylor, shef ekzekutiv i Konfederatës së Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë, ka thënë se mijëra punëtorë të këtij Shërbimi janë duke munguar dhe se “angazhimi i 200 personave shtesë, do të ndihmojë, mirëpo kjo është vetëm pjesë e vogël e asaj që do të vazhdojë të jetë situatë e vështirë”.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të martën, 4 janar, se spitalet janë në “luftë” për shkak të mungesave të stafit./Rel