Britania mbyllet deri më 15 shkurt

Britania e Madhe është izoluar nga pjesa tjetër e botës deri më 15 shkurt, duke mbyllur të gjitha korridoret e udhëtimit nga ajri, toka apo deti.

Qeveria angleze njoftoi se nga ora 4 e mëngjesit të së hënës, çdo person mund të hyjë në vend vetëm nëse paraqet një rezultat negativ të testit të Covid-19.

Për ata që nuk e kanë kryer testin brenda 72 orëve nga mbërritja në kufi, do të aplikohet gjoba në masën 500 paund.

Secili udhëtar do i nënshtrohet izolimit 10-ditor në shtëpi apo hotel, periudhë që mund të shkurtohet në 5 ditë karantinë nëse provohet negativiteti me një test të ri Covid.

Të premten e kaluar, Britania ndaloi udhëtimet nga Amerika e Jugut, Portugalia dhe nga ishujt afrikanë të Kape-Verdes nga frika e variantit të ri të virusit të zbuluar në Brazil.

Mutacioni mendohet se ka fuqi më të madhe infektuese sesa covid-i i zakonshëm, dhe u shtohet atyre të identifikuar më parë në Angli dhe në Afrikën e Jugut.

Një prej këtyre mutacioneve raportohet se qarkulloi në fundjavë edhe në Zvicër, çka detyroi futjen në karantinë të të paktën dy hoteleve në resortin për ski të Shën Moricit.

Në gati një vit, Bashkimi Evropian raporton mbi 400 mijë viktima nga sëmundja e Covid-19.

Bilancin e rëndë e kryesojnë Italia, Franca dhe Spanja me 200 mijë jetë të humbura gjithsej.

Autoritetet franceze nisën të hënën fushatën për vaksinimin e pesë milionë të moshuarve mbi 75 vjeç dhe të 800 mijë të tjerëve të rrezikuar nga sëmundje të ndryshme.

Pavarësisht këtyre nismave në gjithë kontinentin, vendet dhe kompanitë e udhëtimit presin që lëvizjet e qytetarëve nga ajri apo toka t’i rikthehen normalitetit pas gjysmës së parë të vitit.

Australia tha të hënën se kufijtë e saj mund të qëndrojnë pjesërisht të hapur për gjithë 2021-in.

SHKARKO APP