Britania mohon që anija e saj të jetë qëlluar nga Rusia
Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe ka mohuar që rusët të kenë qëlluar në formë paralajmërimi ndaj anijes së tyre në Detin e Zi.
Përmes një reagimi në Twitter, britanikët theksojnë se nuk ka as bomba të lëshuara në itinerarin e anijes nga ndonjë avion dhe as të shtëna në drejtim të “HMS Defender” nga anijet ruse.
Ministria e Mbrojtjes e Moskës tha se HMS Defender hyri në ujërat territoriale ruse pranë Krimesë ndërsa një anije patrullimi lëshoi të shtëna paralajmëruese dhe një avion lëshoi bomba në rrugën e saj.
Por Ministria e Mbrojtjes e Britanisë (MM) tha se nuk ishte qëlluar asnjë e shtënë paralajmëruese ndaj HMS Defender.
Sekretari Britanik i Mbrojtjes Ben Wallace tha në një deklaratë se HMS Defender po kryente një “tranzit rutinë” dhe hyri në një korridor trafiku të njohur ndërkombëtarisht.
Ministria e Mbrojtjes tha se Rusët po kryenin një stërvitje me armë zjarri në Detin e Zi dhe siguruan paralajmërimin paraprak të aktivitetit të tyre.
“Asnjë e shtënë nuk u drejtua te HMS Defender dhe ne nuk e njohim pretendimin që bomba u hodh në rrugën e saj,” shtoi ai.
Rusia tha se incidenti ndodhi afër Kepit Fiolent në jug të Krimesë dhe pretendoi që anija britanike më pas ndryshoi kursin.
Atasheu i mbrojtjes i ambasadës britanike është thirrur në ministrinë ruse të mbrojtjes, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax.
HMS Defender është një shkatërrues i tipit 45 që është pjesë e Grupit Carrier Strike të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo po kryen misione në Detin e Zi, sipas faqes së internetit të Marinës Mbretërore, shkruan BBC.