Britania, në krizë konsumi – Bien shpenzimet edhe në Dhjetor, nuk ka rritje që prej Korrikut
Konsumatorët britanikë nuk i dhanë ndihmën e nevojshme ekonomisë së tyre gjatë Dhjetorit, duke dështuar të rrisin shpenzimet për të 5-tin muaj me radhë, tregojnë të dhënat më të fundit që vijnë nga Mbretëria. Këto të dhëna i japin edhe më shumë zë idesë se, Banka e Anglisë mund të ndërhyjë këtë muaj duke shkurtuar normat e interesit, rrjedhojë e dobësimit të ekonomisë.
Të dhënat zyrtare tregojnë kështu se, vëllimi i shitjeve në Dhjetor ra me 0.6% krahasuar me Nëntorin, duke rrëzuar kështu pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Kjo e dhënë negative vjen pavarësisht faktit se, Dhjetori shihet gjerësish si një muaj me konsum të lartë. Në terma mujorë, shitjet në Britaninë e Madhe nuk janë rritur që prej muaji Korrik, që është edhe rekordi më negativ që prej vitit 1996, kur edhe filloi matja e këtij indikatori.
Konsumi i ushqimeve ka pësuar rënien më të madhe në tre vite, thonë të dhënat e zyrës së statistikave në vend. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2018, shitjet me pakicë ranë me 0.9%, thonë të dhënat./scan