Britania shmang recesionin – Tregon rritjen ekonomike më të ngadaltë që prej vitit 2010
Ekonomia britanike u rrit me normën më të ngadaltë në 1 dekadë në tremujorin e tretë, ndërkohë që ngadalësimi i ekonomisë botërore dhe Brexit goditën manifakturën dhe investimet. Ndërkohë që ekonomia shmangu rrezikun e recesionit, rimëkëmbja për tremujorin ishte shumë më e ulët se sa pritej. Prodhimi për Gushtin dhe Shtatorin u tkurr, ku Britania rrezikonte të dilte nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje tranzitore.
Një muaj përpara zgjedhjeve të parakohshme, Ministri i Financave, Sajid Javid, mirëpriti të dhënat për ekonominë, një këndvështrim që u sfidua nga opozita. “Fakti që qeveria po feston me 0.1% rritje në gjashtë muajt e fundit reflekton pritshmëritë e ulëta për ekonominë tonë”, deklaroi John McDonnell i opozitës. Sipas ekonomistëve, pasiguria politike dhe ngadalësimi i aktivitetit botëror mund të bëjë që Banka e Anglisë të ulë interesat në vitin e ardhshëm, edhe nëse Kryeministri Boris Johnson i’a del me sukses të kalojë Brexit më 31 Janar.
Analistët thonë se shmangja e vështirë e recesionit nuk përbën arsye për të festuar. Rritja vjetore e Produktit të Brendshëm Bruto ra në 1% në tremujorin e tretë, nga 1.3% në të dytin, që është niveli më i ulët që prej 2010-ës. Norma ishte edhe më e dobët se mesatarja e Eurozonës, që regjistroi rritje prej 1.1%.