Britanikët në zgjedhje, nis fushata zgjedhore

Partitë politike në Britaninë e Madhe kanë hyrë në tri javët e fundit të fushatës zgjedhore.

Ndërsa konservatorët e kryeministrit Boris Johnson ruajnë avantazhin në sondazhet për 12 dhjetorin, opozitarët laburistë kanë prezantuar një plan radikal për transformimin e vendit.

Manifesti parashikon shtetëzimin e shërbimeve bazë dhe të internetit, paga më të larta në shtet, shpenzime në infrastrukturë dhe shëndetësi, dhe adresimin e emigracionit dhe ndryshimeve klimatike.

Kryelaburisti Jeremy Corbyn thotë se nëse vjen në pushtet do i japë zgjidhje edhe Breksit

“Po, ka për të pasur një referendum gjashtë muajt e ardhshëm që t’i japim fund problemit të Breksitit. Do tentojmë të rinegociojmë një marrëveshje me BE-në për t’u larguar duke ruajtur marrëdhëniet tregtare, por edhe do u japim mundësinë popullit britanik të thonë fjalën e fundit,”-deklaroi Corbyn.

Duke iu përgjigjur kritikave se plani i laburistëve rrezikon të rritë ngarkesën buxhetore me 83 miliardë paund në katër vitet e ardhshme, Korbin thotë se të ardhurat do të sigurohen nga taksat më të larta për më të pasurit dhe bizneset e mëdha.

Platformat politike të dy partive më të mëdha pritet të përballen nga liderët përkatës në një tjetër debat televiziv mbrëmjen e së premtes.

SHKARKO APP