Britanikët refuzojnë median kineze, autoriteti revokon licencën, CGTN i lidhur me Partinë Komuniste
Britanikët kanë mbyllur sinjalin e një televizioni kinez në Britaninë e Madhe me arsyetimin se ka lidhje me Partinë Komuniste Kineze. Nga ana e tyre kinezët kanë premtuar masa reciproke, ndërsa mediet britanike shkruajnë se ata mund të mbyllin sinjalin e BBC-së.
Autoriteti britanik i mediave audiovizive “Ofcom” i revokoi licencën Rrjetit Global të Televizionit të Kinës. Në vendimin e tij, autoriteti britanik tha se e kishte revokuar licencën për China Global Television Network, një kanal ndërkombëtar satelitor në gjuhën angleze, për shkak të mungesës së kontrollit editorial dhe lidhjeve që televizoni ka me Partinë Komuniste të Kinës.
Për rastin kanë reaguar autoritet kineze që sipas tyre britanikët kanë vepruar mbi “baza politike bazuar në paragjykime ideologjike, duke politizuar një çështje teknike, dhe duke dëmtuar seriozisht mbijetesën e mediave kineze. Sipas kinezëve ky vendim ka ndërhyrë rëndë në shkëmbimet normale midis dy vendeve”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin u tha gazetarëve se nxiste Mbretërinë e Bashkuar të ndalojë menjëherë manipulimin politik dhe të korrigjojë gabimet e saj. “Kina rezervon të drejtën për të dhënë përgjigjen e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të mediave kineze,” – tha wang.
Televizioni kinez transmetonte në Mbretërinë e Bashkuar falas dhe me pagesë. Por autoriteti u vu në lëvizje pasi morën një ankesë nga një grup i të drejtave të njeriut që bëri thirrje për një hetim mbi pronësinë e televizionit.
Hetimi i britanikëve arriti në përfundimin se Star China Media Limited, mbajtësi i licencës, nuk kishte përgjegjësi editoriale për informacionet që jepeshin në këtë kanal lajmesh. Por për diplomatin kinez Wang, britanikët e dinin gjatë gjithë kohës për lidhjet e televizionit me partinë në pushtet të Kinës dhe akuzuan Londrën për standarde të dyfishta në rregullimin e medias.
Kinezët nuk dhanë detaje se si Kina do të kundërpërgjigjej, por mediet britanike shkruajnë se kinezët mund të ndalojnë sinjalin e BBC-së në Kinë.