Brukseli vlerëson buxhetet 2020 – Italia dhe Franca mbishpenzojnë. Spanja, Portugalia dhe Belgjika, pa plane

Komisioni Europian deklaroi  se buxhetet e Francës dhe Italisë për vitin 2020 mund të thyejnë rregullat fiskale dhe kërkoi shpjegime nga vendet përkatëse. Ekzekutivi i Bashkimit Europian paralajmëroi Finlandën për shpenzimet dhe gjithashtu Spanjën, Portugalinë dhe Belgjikën, pasi kanë dorëzuar paketa të papërfunduara për shkak të zgjedhjeve.

Lëvizja ndaj Italisë vjen për shkak të planit për të shpenzuar më shumë për të nxitur rritjen ekonomike. Megjithatë, nuk ka gjasa të përsëritet konflikti i vitit të kaluar, kur Brukseli detyroi qeverinë italiane të ndryshojë buxhetin për të shmangur gjobat.

Letra e Komisionit Europian ndaj Italisë, e nënshkruar nga komisionerët ekonomikë, Valdis Dombrovskis dhe Pierre Moscovici, shkruante se vendi ka dështuar të reduktojë shpenzimet sipas rekomandimeve të Bashkimit Europian.

Brukseli kërkon që ministri i Financave i Italisë, Roberto Gualtieri të shpjegojë se pse buxheti do të përkeqësojë ekuilibrin fiskal me 0.1%, në vend që ta përmirësojë me 0.6%, siç kërkohet nga Bashkimi Europian.

Brukseli dha paralajmërim të ngjashëm ndaj ministrit francez të Financave, Bruno Le Maire, duke thënë se projektbuxheti do të thyejë rregullat e BE për borxhin publik. Ndërkohë, Spanja dhe Belgjika nuk kanë formuar qeveri të re pas zgjedhjeve të këtij viti, ndërsa Portugalia nuk ka formuar ende një kabinet të ri, pas zgjedhjeve të zhvilluara këtë muaj.

SHKARKO APP