Bullgaria dhe Greqia presin lejen e KE-së për të dhuruar 190 mijë vaksina anti-Covid për rajonin
Greqia dhe Bullgaria, dy shtete anëtare të BE, presin të marrin aprovimin e Komisionit Europian dhe prodhuesit për të dhuruar vaksina anti-Covid për Ballkanin Perëndimor.
Greqia do t’i dhurojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut 40 000 doza të vaksinave kundër COVID-19, nga 20 000 doza për secilin shtet.
Zëdhënësja e qeverisë greke, Aristotelia Peloni, nuk specifikoi se kur do t’i dhurohen vaksinat dy vendeve fqinje.
Nga ana tjetër Bullgaria synon të dhurojë 150,000 vaksina kundër Covid-19 për vendet e rajonit.
“Ne morëm kërkesa nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, por fatkeqësisht, procedura doli të ishte shumë e komplikuar. Kërkohet pëlqimi i Komisionit Evropian dhe prodhuesit, pavarësisht nëse i dhuroni vaksinat ose i shisni ato, gjë që kërkon kohë. Ne kemi përgatitur të gjithë dokumentacionin, i kemi dërguar një kërkesë Komisionit Evropian dhe nesër presim një përgjigje. Ne duam të ndihmojmë,” tha ministrit teknik i Shëndetësisë në qeverinë bullgare, Stojcho Kacarov.
Ai shtoi se Bullgaria, si një vend anëtar i BE, e ka mundësinë të ketë një sasi të madhe të të gjitha vaksinave.
Sipas Kacarov, Bullgaria ka në plan të dhurojë vaksinën AstraZeneca, jo sepse është më pak efektive se të tjerat por sepse kërkohet më pak në Bullgari.
Megjithatë, thotë ai, shteti ka mjaft vaksina për të përmbushur nevojat e tyre.
“Ne kemi 13 ose 14 milion vaksina në dispozicion deri në fund të vitit. Ne madje kemi kërkuar që disa nga blerjet të ngadalësohen, sepse procesi i vaksinimit është i ngadaltë. Ne kemi dy vaksina për 7 milion njerëz dhe nuk jemi aq shumë, kështu që kemi mundësinë të dhurojmë,” shpjegoi Kacarov.
Kujtojmë se qeveria shqiptare është angazhuar që brenda qershorit të jenë vaksinuar 1 milion qytetarë.