Bullgaria do të dëbojë një diplomat rus
Ministria e jashtme e Bullgarisë këtë të enjte ka njoftuar se do të dëbojë një diplomat rus.
Ndërkohë që menjëherë është përgjigjur Moska e cila theksoi se do të veprojë njëjtë ndaj diplomatëve të Bullgarisë.
Mediat e huaja ndër të tjera bëjnë me dije se tensionet diplomatike vijnë pasi të mërkurën prokurorët bullgarë thanë se po hetojnë përfshirjen e mundshme të gjashtë rusëve në katër shpërthime midis 2011 dhe 2020 në depot bullgare të armëve që po ruanin municione për eksport në Ukrainë dhe Gjeorgji.
Bullgaria kërkoi që Rusia të bashkëpunojë në hetimet e saj. Zëdhënësja e Prokurorit të Përgjithshëm bullgar, Siika Mileva, tha se ekziston një “supozim i arsyeshëm” se këto incidente janë të lidhura me helmimin gati fatal të tregtarit bullgar të armëve Emilian Gebrev më 2015-të dhe një shpërthim në një depo çeke municionesh më 2014.
Çekia ka thënë se dyshohet që agjentët rusë janë përgjegjës për shpërthimin. Ndërkaq Praga ka dëbuar disa diplomatë rusë duke nxitur hakmarrjen e Moskës me dëbimin e diplomatëve çekë.
Në shenjë solidariteti, disa anëtarë të NATO-s dhe BE-së kanë dëbuar diplomatët rusë gjithashtu për pretendime spiunimi.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të mërkurën se BE-ja duhet të përgatitet për përkeqësim të marrëdhënieve me Rusinë.