Bullgaria do të përdorë zyrtarisht euron nga viti 2026
Bullgaria është në prag të një hapi të rëndësishëm ekonomik, pasi ka marrë miratimin nga Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane për t’u bërë vendi i 21-të që adopton euron. Plani parashikon që monedha europiane të zëvendësojë levën në fillim të vitit të ardhshëm, më 2026.
Komisioneri për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, e cilësoi raportin e fundit një moment historik për Bullgarinë dhe për vetë Bashkimin Evropian. Edhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Philip Lane, vlerësoi përpjekjet e vendit për të përmbushur kriteret e nevojshme.
Që prej hyrjes në BE në vitin 2007, Sofja ka synuar anëtarësimin në eurozonë, por për vite me radhë është penguar nga inflacioni i lartë dhe krizat e brendshme politike. Edhe në vitin e kaluar, hyrja u shty për shkak të ndikimeve nga kriza energjetike pas pushtimit rus të Ukrainës.
Tashmë, raportet e institucioneve evropiane konfirmojnë se Bullgaria i ka përmbushur të gjitha kushtet ekonomike, nga inflacioni dhe borxhi publik, te stabiliteti i kursit të këmbimit.
Hapi i radhës është miratimi përfundimtar nga ministrat e Financave të vendeve të eurozonës, që pritet të votohet më 8 korrik.
Pas Kroacisë në vitin 2023, Bullgaria do të jetë shteti i radhës që i shtohet eurozonës, duke zgjeruar më tej praninë e saj në rajonin e Ballkanit dhe Evropës Juglindore.
KOHA JONË SONDAZH

