Bullgaria e priti pavarësinë me 76 netë protesta, kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe kryeprokurorit
Qytetarët bullgarë janë mobilizuar në atë që ata e quajnë “kryengritja e tretë e madhe kombëtare”. Bullgaria të martën e festoi përvjetorin e pavarësisë nën thirrjet kundër qeverisë dhe korrupsionit në vend.
Bullgaria e ka shënuar të martën 112-vjetorin e pavarësisë me protesta anembanë vendit.
Për 76 ditë me radhë, mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Bojko Borisov dhe të kryeprokurorit me pretendimet se kanë lejuar mafien të kontrollojë shtetin.
Protesta nisi paqësisht në mesditë me shpërfaqjen e flamurit bullgar ku mbishkruhej teksti “dorëheqje”.
Përplasje me forcat e rendit u raportuan pas orës 21 kur pjesëmarrësit marshuan drejt godinës së vjetër të parlamentit, duke lëshuar fishekzjarre dhe objekte të forta ndaj kordonit të policëve që i bllokonte hyrjen me helmeta dhe shkopinj gome.
“Ndodhem këtu sepse jam e lodhur me talljet e këtyre hajdutëve. Duam një ndryshim dhe e vetmja mënyrë si mund ta arrijmë është nëpërmjet protestave në rrugë.”
“Duket sikur nuk i intereson absolutisht askujt që kaq shumë njerëz protestojnë prej kohësh. Por unë e ndjej si detyrim personal. Nuk e imagjinoj dot të qëndroj në shtëpi kur dikush tjetër del e bën punën time prej qytetari kundër padrejtësive. Askush nuk do luftojë për ne po s’qemë vetë.”
Demonstratat e së martës u mbajtën nën moton “Kryengritja e Tretë Kombëtare” dhe u shtrinë edhe në vende të tjera të Europës, në SHBA e deri në Australinë e largët ku jetojnë bullgarët.
Përveç shpërbërjes së qeverisë që ata e akuzojnë si të korruptuar, protestuesit kërkojnë edhe futjen e votimit elektronik në zgjedhje dhe reformimin e sistemit të drejtësisë.
Kryeministri 61-vjeçar Borisov udhëheq politikat e Bullgarisë për tri mandate me radhë që nga viti 2009 dhe më herët ka pranuar të largohet me kusht që parlamenti të miratojë ndryshimet kushtetuese për pavarësi më të lartë të gjyqësorit dhe për uljen e numrit të deputetëve.
Kryeqeveritari synon ta mbajë pushtetin ekzekutiv deri në zgjedhjet e reja në mars të vitit 2021.