Burgosja e kreut të opozitës, shefi i diplomacisë së BE-së zbarkon në Moskë
Shefi për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell nis një vizitë tre ditore në Moskë në mesin e kritikave që po rrethojnë burgosjen e politikanit opozitar, Aleksei Navalny dhe shtypjes me dhunë protestave anti-qeveritare.
Borrell këmbëngul se do ti dërgojë “mesazhe të qarta” Kremlinit gjatë vizitës së tij. Kjo është vizita e parë e një të dërguari të BE-së në Rusi, prej vitit 2017. “Kur gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të angazhoheni”, deklaroi Borell. Moska i ka injoruar thirrjet për të liruar Aleksej Navalnyn, i cili në 2 shkurt u dënua me gati tre vjet heqje lirie, pasi lëvizja e tij në Gjermani u konsiderua shkelje e kushteve të një dënimi të mëparshëm.
Kreu opozitar rus është i bindur se ka qenë vetë shefi i Kremlinit, Vladimir Putin ai që ka urdhëruar helmimin e tij. Sipas ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, Perëndimi e ka tepruar me reagimet e veta ndaj vendimit për Navalnyn.