Cameron: Ja kushtet e Britanisë, për të qëndruar në BE
"Që prej fjalimit tim të gati 3 viteve më parë, sfidat me të cilat përballet në Bashkimin Evropian nuk janë zvogëluar – në fakt ato janë rritur. Perspektiva ekonomike mund të jetë disi më e ndritshme. Por trashëgimia e krizës në eurozonë vazhdon. Kërcënimet ndaj sigurisë tonë – dhe për sigurinë e çdo kombi evropian – janë rritur jashtëzakonisht në vitet e fundit, nga pushtimi rus i Ukrainës lindore, shfaqja e ISIS-it, dhe flukset emigratore të shkaktuara nga lufta në Siri. Dhe në të gjithë Evropën, rritja e partive kontestuese kërkon një përgjigje. Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë. Ai ka nevojë të bëhet më konkurrues, për t’u përballur me rritjen e ekonomive si Kina dhe India. Ka gjithashtu nevojë për të vëndosur marrëdhëniet mes vendeve brenda euros dhe ato jashtë saj – si Britania – mbi një bazë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Unioni ka nevojë për përgjegjësi më të mëdha demokratike të parlamenteve kombëtare. Mbi të gjitha, BE-ja duhet të operojë me fleksibilitetin e një rrjeti, dhe jo me ngurtësinë e një blloku. Mos harroni asnjëherë, se Bashkimi Evropian tani përbëhet nga 28 kombe të lashta të Evropës. Se diversiteti është forca më e madhe e Evropës. Britania thotë:le ta festojmë këtë fakt, le të pranojmë se përgjigja për çdo problem nuk është gjithmonë më shumë në Evropë. Ndonjëherë duhet më pak Evropë. Bashkimi Evropian përballet aktualisht me 4 sfida të mëdha:
1. Qeverisja ekonomike dhe eurozona
Sot ka 2 lloje anëtarësh në Bashkimin Evropian:vendet e eurozonës dhe ato jashtë saj. Ndryshimet që eurozona do të duhet të zbatojë, kanë ndikime të thella mbi të dyja kampet. Ne kemi nevojë për një model britanik të anëtarësimit, që funksionon për Britaninë dhe për anëtaret e tjera, të cilat nuk i përkasin eurozonës. Dhe kjo duhet të jetë krejtësisht e mundur. Bashkimi Evropian, është një familje kombesh demokratike, në themel të së cilës ishte dhe mbetet një treg i përbashkët. Ndaj nuk ka asnjë arsye, pse monedha e vetme dhe tregu i përbashkët të ndajnë të njëjtin kufi. Pra, si pjesë e rinegocimit tone, unë kërkoj nga liderët evropianë të bien dakord mbi parime të qarta dhe të detyrueshme, të cilat e mbrojnë Britaninë dhe vendet e tjera jashtë eurozonës, si dhe një mekanizëm mbrojtës për të siguruar që këto parime do të respektohen dhe zbatohen. Teksa eurozona ecën përpara, çdo ndryshim që ajo vendos të ndërmarrë – si për shembull krijimi i një bashkimi bankar – duhet të jetë vullnetar dhe kurrë i detyrueshëm për vendet jashtë eurozonës. Tatimpaguesit në këto vende, nuk duhet të përballojnë asnjëherë koston e operacioneve financiare, për të mbështetur euron si një monedhë, sikurse ka ndodhur deri më sot.