Çfarë ndodh një ditë pas zgjedhjeve në SHBA?
Në ditën e zgjedhjeve, Hillary është përpara në sondazhe, ndonëse diferenca me rivalin Donald Trump nuk është e madhe. Çfarë do të ndodhë nëse Presidente e Shteteve të Bashkuara do të zgjidhet pikërisht ajo.
Programi i demokratëve parashikon një miks ndërhyrjesh publike dhe stimujsh për sipërmarrjet. Plani i investimeve federale ka në fokus infrastrukturën, rrugë, hekurudha, aeroporte.
Do të ndihmohen bizneset e vogla e ato të mesme, të cilat mendohet se mund të gjenerojnë më shumë vende pune. Duke ndjekur linjën e Obamës, Clinton do të vazhdojë rëndimin me taksa të fashës më të pasur të popullsisë. Familjet me të ardhura nën 85 mijë dollarë në vit, nuk do të paguajnë tarifa universitare dhe brenda 2021-shit, ky tavan do të shkojë në 125 mijë dollare.
Politika e saj e jashtme do të jetë më e orientuar drejt Europës. Për Clintonin, aleanca me partnerët e Kontinetit të Vjetër është e vyer. Raporti me Rusinë nga ana tjetër, do të jetë i keq. Presidentin rus, demokratja e akuzoi se është përpjekur të sabotojë fushatën e saj në favor të Trumpit.
Sa i takon Lindjes se Mesme, këtu pritet një ndryshime krahasuar me politikën e Obamës. Hillary është për një ndërhyrje të fortë në Siri e do t’i rikthehet propozimit të një zone të ndalim-fluturimit në këtë vend.
Nëse fiton Trump, si fillim një ndjenjë paniku pritet të pushtojë aleatët e Amerikës, si ata aziatikë, ashtu dhe ata europianë të NATO-s. Nëse i përmbahet platformës së tij, një ndër gjërat e para që do të bëjë do të jetë anulimi i reformës shëndetësore të Barack Obamës.
Por ka mundësi që si President, edhe pse gjatë fushatës këtë temë e ktheu në lajtmotiv të tij, Trumpi të mos i shkojë deri në fund idesë për kthimin e miliona emigrantëve të paligjshëm sepse pasojat mbi ekonominë amerikane do të ishin të jashtëzakonshme.
Ndoshta do të mendohet dy herë gjithashtu përpara se të nisë një luftë tregtare me Kinën. Bursat janë të frikësuara nga paparashikueshmëria e tij dhe të menduarit irracional.
Kur vjen fjala tek NATO, partnerëve europiane Trump do t’u kërkojë që të paguajnë më shumë. Ekonomisë do të përpiqet t’i japë një “shkundje” me paketa stimujsh.
Sa i takon Gjykatës së Lartë, vendimi i tij i parë do të jetë zëvendësimi i gjykatësit Scalia, që ndërroi jetë përpara disa muajsh. Obamës, Kongresi ia ndaloi zëvendësimin e tij.
Marrëdhëniet me Vladimir Putinin premtojnë të jenë të mira, aq sa dikush druhet se Trumpi president do t’i lerë Moskës dorë të lirë në Siri. TCh