Çfarë po ndodh në Kirgizstan?

Protestuesit kanë kapur ndërtesat kryesore qeveritare, duke përfshirë sallën e Parlamentit dhe zyrën presidenciale; Presidenti në largim ka akuzuar opozitën për grusht shteti. Protestat e rrugës shpërthyen në Kirgistan në fillim të javës së parë të tetorit, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës, 4 tetor 2020. Opozita fajësoi qeverinë për manipulim të rezultatit zgjedhor ndërkoëh që protestuesit pushtuan disa ndërtesa qeveritare në kryeqytetin Bishkek, duke detyruar Presidentin, Sooronbay Jeenbekov, të largohej nga pallati presidencial dhe duke e zhytur vendin në kaos.

Çfarë ndodhi në zgjedhje? Kirgistani, konsiderohet si demokracia e vetme në Azinë Qendrore, që ka pasur edhe më parë protesta të dhunshme anti-qeveritare. Në 2005 dhe 2010, presidentët e vëndit janë detyruar të largohen nga posti pas shpërthimit të revolucioneve të ‘Tulipanëve’ dhe ‘Bostanit’. Protestat aktuale kanë shpërthyer pasi u deklaruan rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 4 tetorit. Partitë politike në Kirgistan duhet të fitojnë të paktën 7% të votave për të hyrë në Parlament. Rezultatet treguan se vetëm katër parti arritën të kapërcejnë pragun, tre prej të cilave ishin parti pro-qeveritare. Partia e sapoformuar Birimdik (Uniteti) doli fituese me 24.5% të votave, ndërsa partia Kirgistan Mekenim (Atdheu im) mori 23.88% dhe partia Kirgistan 8.76%. E vetmja parti e opozitës që kaloi pragun ishte partia nacionaliste Butun Kirgistan, e cila fitoi 7.13%. Të 12 partitë e tjera që morën rreth një të tretën e të gjithë votave nuk u futën në parlament se nuk e kalonin pragun.

Çfarë realisht qëndron pas protestave? Para zgjedhjeve, gabimet politike po shumëfishoheshin në Kirgistan. Partia kryesore politike e vendit, Partia Social Demokratike e Kirgistanit (SDPK), e cila kishte numrin më të madh të vendeve në Parlamentin e kaluar, i bojkotoi zgjedhjet për shkak të luftës mes themeluesit të saj, ish-Presidentit Almazbek Atambayev dhe presidentit në detyrë z. Jeenbekov. Z. Atambayev, mentori i dikurshëm i presidentit aktual Z. Jeenbekov, ishin përplasur shpesh publikisht pas shumë grindjesh. Z. Atambayev u burgos vitin e kaluar dhe u dënua me akuzën e korrupsionit. Djemtë e ish-Presidentit Atambayev u shkëputën nga SDPK dhe formuan disa muaj para zgjedhjeve partinë Social Demokratët e Kirgistanit (SDK). Partitë opozitare që nuk arritën të futeshin në Parlament në zgjedhjet e 4 tetorit 2020, përfshi edhe SDK, u bashkuan dhe filluan protestat, duke akuzuar qeverinë për blerjen e votave. Protestuesit bastisën burgun ku ndodhej Atambayev dhe e liruan atë. Partitë opozitare formuan një Këshill Koordinues për të udhëhequr protestat. Komisioni Zgjedhor i vendit anuloi rezultatet, por protestat vazhduan.

Kush është në krye të vendit aktualisht? Protestuesit kanë pushtuar ndërtesat kryesore qeveritare, duke përfshirë sallën e Parlamentit dhe zyrën presidenciale. Vendndodhjet e Presidentit Jeenbekov nuk dihen. Në një mesazh video, nga një vend i padeklaruar, Presidenti akuzoi opozitën për grusht shteti kundër qeverisë së tij. Kryeministri Kubatbek Boronov dha dorëheqjen në 5 tetor pas fillimit të trazirave. Partia Mekenchil ka caktuar udhëheqësin e saj Sadyr Japarov, i cili gjithashtu u lirua nga burgu nga protestuesit, në postin e Kryeministrit. Kryetari i Bashkisë së Bishkekut dhe Guvernatorët e disa rajoneve gjithashtu kanë dhënë dorëheqjen. Presidenti Jeenbekov mori detyrën në nëntor 2017. Sipas Kushtetutës, atij i mbeten edhe tre vjet në detyrë. Por protestuesit kërkojnë që Z. Jeenbekov të japë dorëheqjen.

Cfarë rëndësie ka Kirgizstani për Kinën, Rusinë dhe SHBA? Kirgizstani është një vend i Azisë Qendrore pa dalje në det që ndan një kufi të gjatë me Kinën duke qenë I rëndësishëm për planet strategjike të Rusisë dhe Kinës. Moska e sheh këtë rajon si oborrin e saj të pasëm dhe luan politikë të fortë për të ruajtur ndikimin e saj. Për Kinën, Kirgizstani, është një lidhje jetike me Nismën e Brezit dhe Rrugëve. Vitin e kaluar, Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Bishkek. Kina ka ndërtuar rrjete rrugore dhe hekurudhore me Kirgistan dhe Uzbekistan. Gjatë fazave të hershme të luftës në Afganistan, SH.B.A. e kishte përdorur Kirgistanin për karburant dhe qëllime të tjera logjistike. Baza e SHBA në këtë vend është mbyllur në 2014 nga Parlamenti.

Pasojat e protestave në politikën e jashtme të Rusisë? Kirgistani është një anëtar i Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia dhe pret të vendoset në të një bazë ajrore ruse. Ndërsa Rusia ka kultivuar lidhje të forta me të gjitha fraksionet politike në Kirgistan, ndryshimet rrënjësore politike mund të krijojnë mundësi për rivalët e saj. Do të shihet nëse Presidenti Jeenbekov, i cili është ende legalisht në pushtet, nëse do të jetë në gjendje të mobilizojë autoritetin e tij. Duket se kriza paraqet një sfidë për politikën e jashtme të drejtuar nga Vladimir Putin. Bjellorusia, një vend tjetër në oborrin Rusisë, i drejtuar nga një President prorus, tashmë është duke u ballafaquar me trazira politike pas zgjedhjeve presidenciale të gushtit. Në Kaukazin e Jugut, konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, të dy ish Republikat Sovjetike, për Nago-Karabakun, rrezikon ta tërheqë Rusinë në një konflikt që ai nuk e dëshiron. Të treja së bashku, bëjnë që përpjekjet e Moskës për të ndërtuar një integrim më të fortë politik dhe ekonomik me ish-rajonet Sovjetike papritmas po përballen me sfida kritike.

Përgatitur për syri.net nga INTERNATIONALThe Hindu Explains | What’s happening in Kyrgyzstan?
9 tetor 2020

SHKARKO APP