Çfarë po ndodh? Përmbytje shkatërruese në Japoni, tërmet 7.6 në Meksikë
Ditët e fundit po ndodhin fenomene natyrore me përmasa shkatërruese. Rrëshqitje dheu dhe vërshim i furishëm ujërash paralajmërohen në Japoni, pasi vendi u godit nga njëra prej stuhive më të dhunshme të dekadave të fundit.
Të paktën 4 të vdekur e mbi 100 të plagosur, 14 prej të cilëve rëndë, numërohen që në momentin që tajfuni Nanmadol preku tokën në ishullin jugor të Kyushu të dielën, dhe që prej atëherë, ka mbjellë vetëm shkatërrim në rrugën e tij. Kryeqyteti Tokio u përball me reshje rekord.
Meksika perëndimore shkundej nga një tërmet i magnitudës 7.6. Ai ndodhi në 19 shtator, e njëjta datë kur vendi ka pësuar dy tërmete të tjera shkatërrimtare: Po në 19 shtator 1985 dhe 2017, lëkundjet e egra të tokës në këtë zonë morën me mijëra jetë njerëzish.
Nuk po kalojnë momente të lehta as banorët e republikës Dominikane, ku uragani Fiona ka marrë fuqi e po kërcënon jetët e shumë njerëzve, teksa metereologët paralajmërojnë se ai mund të kthehet në një stuhi të kategorisë së katërt.