Cili do të jetë tani fati i Donald Trump
Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar të mërkurën për ta bërë Donald Trumpin presidentin e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që shkarkohet dy herë, duke e akuzuar zyrtarisht për nxitjen e kryengritjes në Capitol, në ditët përfundimtare të mandatit të tij.
Dhoma e kontrolluar prej demokratëve ka kaluar me 232 vota për dhe 197 kundër rezolutës që e ngarkon Trumpin për sulmin e përgjakshëm ndaj demokracisë amerikane. Këtë rezolutë e votuan edhe 10 bashkëpartiakë të Trumpit republikan, duke iu bashkuar radhëve demokrate në përkrahje të shkarkimit.
Mirëpo është pothuajse e pamundur që shkarkimi i pashembullt të shpjerë drejt largimit të Trumpit nga posti para përfundimit të mandatit të tij katërvjeçar dhe betimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar. Lideri i shumicës në Senatin republikan, Mitch McConneli, ka hedhur poshtë thirrjet e demokratëve për ta mbledhur përbërjen e Dhomës në një seancë urgjente për nisjen e menjëhershme të gjykimit të shkarkimit, ka bërë të ditur një zëdhënës i tij.
Dhoma demokrate e kaloi nenin e vetëm të shkarkimit – akuzën zyrtare që e mban përgjegjës Trumpin për “nxitjen e kryengritjes”. Akuza bazohet në fjalimin ndezës, të cilin presidenti e mbajti para mijëra mbështetësve, vetëm pak kohë para se turma e besnikëve të tij t’i vërsulej dhunshëm ndërtesës së Capitolit. Ngjarjet e penguan certifikimin zyrtar të fitores së Bidenit kundruall Trumpit në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke i shtrënguar ligjvënësit që të kërkojnë strehim të sigurt dhe duke lënë të vdekur pesë persona, mes të cilëve një zyrtar policie.
Gjatë fjalimit të tij të 6 janarit, Trumpi i kishte përsëritur pretendimet e pabaza se zgjedhjet ishin manipuluar dhe kishte nxitur përkrahësit që të marshonin drejt Capitolit.
Historikja e shkarkimit
Me prani të shtuar të trupave të armatosura të Gardës Kombëtare brenda dhe jashtë Capitolit, një debat emocional është zhvilluar të mërkurën në po të njëjtën sallë të Dhomës, ku ligjvënësit një javë më parë ishin strehuar poshtë tryezave dhe ishin pajisur me gazmaska teksa turmat po përlesheshin me policinë përpara dyerve.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nxitur këtë kryengritje, këtë rebelim të armatosur kundër vendit tonë të përbashkët”, ka thënë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, një demokrate, para se votimi të mbahej. “Ai duhet të shkojë. Ai është qartazi dhe bindshëm një rrezik për kombin që ne duam”.
Asnjë president amerikan nuk është shkarkuar më parë nga detyra nëpërmjet procesit të shkarkimit. Tre sosh – Trumpi më 2019, Bill Clintoni më 1998 dhe Andrew Johnsoni më 1868 – ishin shkarkuar më herët nga Dhoma e Përfaqësuesve, por ishin shfajësuar më pas nga ana e Senatit.
Shkarkimi ndodh në kohën e thellimit të ndasive politike në SHBA-në e plandosur nga pandemia, afër përfundimit të presidencës përplot trazime, në të cilën Trumpi qeverisi me mesazhin djathtist populist “Amerika në rend të parë”.
Kongresisti demokrat, Julian Castro, dikur kandidat presidencial, e ka quajtur Trumpin “burrin më të rrezikshëm që ka qenë ndonjëherë në Dhomën Ovale”. Kongresistja Maxine Waters e akuzoi Trumpin se dëshiron luftë civile, teksa demokrati Jim McGovern ka thënë se presidenti “ka nxitur temtimpuç”.
Disa republikanë kanë argumentuar se iniciativa për shkarkim ishte gjykim i nxituar që i anashkalon procedurat e zakonshme, si seancat dëgjimore, dhe u ka bërë thirrje demokratëve që të heqin dorë nga përpjekja në emër të unitetit dhe shërimit kombëtar.
“Shkarkimi i presidentit brenda një kohe kaq të shkurtër do të ishte gabim”, ka thënë Kevin McCarthy, republikani kryesor në Dhomë. “Kjo nuk do të thotë se presidenti nuk është fajtor. Presidenti e bart përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës në Kongres, prej anës së protestuesve”.
Aleatët më të ngushtë të Trumpit, si republikani nga Ohio Jim Jordan, ka shkuar edhe më tutje, duke i akuzuar demokratët për veprime të nxitura kryekëput nga interesat politike.
“Kjo ka të bëjë me heqjen qafe të presidentit të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Jordan, të cilin Trumpi e kishte dekoruar me Medaljen Presidenciale të Lirisë në një ceremoni private në Shtëpinë e Bardhë, gjatë kësaj jave. “Gjithnjë për këtë kishte qenë, pa marrë parasysh të gjitha. Është fjala për opsesion”.
“Krimet e larta”
Shkarkimi është masa e paraparë nga themeluesit e Amerikës në shekullin 18 për t’ia mundësuar Kongresit largimin e një presidenti i cili, sipas Kushtetutës, ka ndërmarrë vepra “të tradhtisë, ryshfetit apo krimeve e kundërvajtjeve të tjera të larta”. Në rastin e shkarkimit përfundimtar të Trumpit, Kushtetuta amerikane parasheh që nënpresidenti, Mike Pence, të bëhet president dhe ta përfundojë mandatin e tij.
Dhoma e shkarkoi Trumpin pasi që ai i anashkaloi thirrjet për dorëheqje, ndërsa Pence iu shmang kërkesave të demokratëve për ta aktivizuar dispozitën kushtetuese për shkarkimin e presidentit.
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kishin votuar më herët për shkarkimin e Trumpit në dhjetorin e 2019-s, nën akuzën për abuzim me pushtetin dhe për pengimin e punimeve të Kongresit me anë të kërkesës adresuar Ukrainës për ta hetuar Bidenin dhe të birin e tij, Hunter, para zgjedhjeve. Mirëpo në shkurtin e 2020-s, Senati votoi për ta mbajtur Trumpin në detyrë.
Neni i shkarkimit të së mërkurës e akuzoi Trumpin për “nxitje të kryengritjes”, duke pretenduar se ka provokuar dhunë kundër Qeverisë amerikane në fjalimin para mbështetësve. Neni citon po ashtu telefonatën e Trumpit më 2 janar, në të cilën ai ia kërkon një zyrtari në shtetin e Georgias që “t’i gjejë” votues për ta përmbysur fitoren e Bidenit aty.
Në fjalimin e 6 janarit, Trumpi i kishte përsëritur pretendimet për mashtrime të gjithmbarshme në zgjedhje dhe për parregullsi që ia “rrëmbyen” fitoren. U kishte thënë mbështetësve që “ta ndalin vjedhjen”, “të tregojnë forcë”, “të luftojnë më ashpër” dhe të përdorin “rregulla shumë më të ndryshme” ndërsa kishte premtuar të shkonte bashkë me ta në Capitol, ndonëse nuk e bëri.
“Nëse nuk luftoni me gjithë fuqinë, nuk do ta keni më vendin”, u tha ai.
Demokratët tani mund gjithashtu të insistojnë për shkarkimin nëpërmjet gjykimit në Senat, në përpjekjen për ta çuar përpara votimin që do t’ia bllokonte Trumpit përhershëm kandidimin për këtë post.
Reuters