CMG-ja: “Kërkesa për kompensim nga Kina” nuk ka asnjë bazë ligjore apo faktike
“Akuzat e pamenduara për kërkimin e kompensimit dhe të përgjegjësisë së Kinës (ndaj pandemisë) nuk kanë asnjë bazë faktike apo ligjore dhe nuk është parë asnjë shembull i mëparshëm”, vuri në dukje kryediplomati kinez Wang Yi në një konferencë shtypi të organizuar të dielën në Pekin. Ky është reagimi më serioz i paraqitur nga pala kineze për “dramat politike” të disa politikanëve perëndimorë.
Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi një koment ku thuhet se “politikanët që bëjnë akuza të tilla kanë mbyllur sytë para ligjit ndërkombëtar dhe synojnë zhvendosjen e kontradiktave të brendshme jashtë vendit për të mbuluar dështimin në përballjen e epidemisë”.
Kina vetë është një viktimë e COVID-19. Për të frenuar përhapjen e virusit, populli kinez ka paguar kosto të lartë dhe ka bërë sakrifica vetëmohuese. Kronologjia e veprimeve antiepidemike të Kinës është bazuar mbi fakte dhe shifra, të cilat mund të kalojnë testin e kohës dhe të historisë. “Kërkesa për kompensim nga Kina” jo vetëm shpërfill faktet, por gjithashtu shkel vijën fundore morale të njeriut pasi i kërkon viktimës përgjegjësi.
Gjithashtu, këto akuza nuk gjejnë mbështetje ligjore. Në një raport të publikuar ditët e fundit nga Bundestag-u (Parlamenti gjerman) thuhet “kërkesa se Kina duhet të kompensojë” është “absurde” sepse nuk ka asnjë dëshmi që mund të mbështesë shkakun midis epidemisë në Kinë dhe dëmit në ShBA.
Ndërkohë, sipas normave ligjore ndërkombëtare, veprimtaria dhe pasuritë shtetërore të një vendi janë jashtë sferës së fuqisë legjislative, juridike dhe administrative të një vendi tjetër. Nëse ShBA-ja mëton të ashtuquajturën “ligjshmëri”, duhet të rishikojë “Ligjin e Imuniteteve Sovrane të Jashtëm” (FSIA), gjë që do të ndikojë jo vetëm rendin ligjor ndërkombëtar, por do ta vendosë ShBA-në në “kurthin” që vendos për Kinën.
Gripi H1N1 që shpërtheu në ShBA në vitin 2009 u shpërnda në mbi 200 vende e rajone të botës. Gjatë epidemisë, OBSh-ja ka ngritur nivelin e alarmit në më të lartin për shkak të rrezikshmërisë së këtij gripi. Një studim i botuar në vitin 2012 në revistën prestigjoze mjekësore “Lancet” tregon se nga prilli i viti 2019 deri në gushtin e 2010-s, gripi H1N1 mund të ketë shkaktuar nga 151.7 mijë deri në 515.5 mijë viktima. “Por deri më sot, nuk ka dalë asnjë vend apo organizatë që t’i kërkojë kompensim ShBA-së”, theksohet në koment.
Në fund të shkrimit vihet në dukje se Kina nuk është më ajo e dobëta e 100 viteve më parë, kurse bota nuk është më ajo që ka qenë para një shekulli.
“Siç tha ministri Wang Yi në konferencën e shtypit, ata që tentojnë të shkelin sovranitetin e dinjitetin e Kinës, duke shantazhuar frytet e punës së popullit kinez shohin ëndërra me sy hapur dhe thjesht poshtërojnë veten”, thuhet në komentin e CMG-së.
/Marre nga CRI/