Çmimet e energjisë në nivele rekord, Putin: Marrëzi zërat se Moska po e përdor gazin si armë
Kriza energjitike ka shkaktuar alarm mes liderëve të BE-së dhe tronditën tregjet globale, duke ngritur shqetësimin për një krizë karburantesh gjatë dimrit, që mund t’i shkojë për shtat Rusisë.
Në Europë çmimet e gazit natyror u ngjitën me thuajse 600 për qind këtë vit nga shqetësimi se rezervat do të jenë të pamjaftueshme për dimrin. Në SHBA çmimi preku rekordin e 12 viteve të fundit.
Të mërkurën, Komisioni Evropian publikoi një paketë masash për të frenuar trendin, që ka bllokuar prodhimin industrial dhe i ka lënë konsumatorët të përballen me fatura më të larta teksa dimri afron.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin thotë se vendi i tij po intensifikon furnizimet me gaz në Evropë dhe është e gatshme të bashkëpunojë në stabilizimin e tregut. Po ashtu ai i quajti marrëzi zërat se Moska po e përdor gazin si armë.