Çmontohet kampi në Paris, strehë e 2.400 emigrantëve
Me qindra azilkërkues jetojnë në kushte mjerimi në Francë teksa presin përgjigjet e tyre për aplikimin për azil. Një kamp i tillë me emigrantë është hequr nga rrethinat e Parisit.
Franca ka çmontuar një prej kampeve më të mëdha të azilkërkuesve në rrethinat e Parisit.
Forcat e policisë detyruan të martën rreth 2,400 banorët e kampit në zonën e Shën-Denisit të largohen nga çadrat ku ata po ngrinin vazhdimisht prej muajit gusht.
Operacioni filloi që në orët e para të ditës në verilindje të kryeqytetit.
“Këto kampe nuk janë të pranueshme pikësëpari për banorët e tyre, për gjendjen e mjerueshme por edhe kriminalitetin. Prandaj është e nevojshme t’i adresojmë dhe mbi të gjitha që të sigurohemi se ato nuk do të ndërtohen sërish,” deklaroi shefi i policisë së Parisit.
Raportohet se shumica e emigrantëve të kampit ishin meshkuj të ardhur nga Afganistani, Sudani, Etiopia dhe Somalia, të cilët jetonin në kushte josanitare dhe me mungesa ushqimore të shtuara javët e fundit edhe nga kufizimet në lëvizje për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Banorët u testuan për simptomat e kovidit-19 përpara se të transportoheshin me autobusë në strehët e posaçme të përgatitura nga prefektura.
Operacionet franceze kundër kampeve të emigrantëve të padokumentuar në rrethinat e Parisit kanë nisur në vitin 2018.
Në muajin korrik, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut urdhëroi Francën të dëmshpërblejë grupe refugjatësh nga Rusia, Irani dhe Afganistani për trajtimin e keq dhe shpërfilljen e tyre, duke i lënë për muaj të tërë pa strehë, pa pagesë dhe pre të dhunës.