Ç’mund të bëjnë së bashku për Ballkanin Britania e Madhe dhe BE?
Nga Arminka Helić, Politico.eu
Edhe pas Brexit ekziston një pjesë e Evropës ku Britania e Madhe dhe Bashkimit Evropian duhet të përqendrojnë urgjentisht përpjekjet e tyre dhe të punojnë së bashku:Ballkani. Rajoni i Evropës Juglindore, shërben si një mikrokozmos i sfidave me të cilat përballen Mbretëria e Bashkuar, BE dhe aleatët në të gjithë Perëndimin, dhe si një provë e rëndësishme e aftësisë sonë për t’i përballuar ato.
Ne Ballkan, ne shohim modelin se si do të shpaloset konkurrenca sistematike në mbarë botën:sesi fitojnë terren idetë autoritare, dhe më pas sesi përhapen ato; se si Rusia dhe Kina përfaqësojnë një ndikim destabilizues dhe korruptues; dhe si ato po e zgjerojnë ndikimin e tyre.
Ajo që dikur dukej e tepruar po bëhet e mundur, pastaj e besueshme, pastaj papritmas e shohim të realizuar. Vendet që duhet të jenë në rrugën e prosperitetit, po bëhen qendra të përhershme – dhe eksportuese-të destabilitetit. Në marsin e vitit të kaluar, kur një ngarkesë me furnizime mjekësore kineze dhe disa mjekë zbarkuan në Beograd, presidenti serb puthi flamurin kinez.
Qeveria në Beograd, e ka vlerësuar qeverinë kineze gjatë gjithë pandemisë, duke marrë në këmbim dërgesa të mëdha me vaksina kineze dhe pajisje mjekësore. Rusia nuk mbeti më pas me vaksinën e saj Sputnik. Gjatë dekadës së kaluar, Kina dhe Rusia e kanë zgjeruar sistematikisht dhe thelluar ndikimin e tyre në Ballkan.
Kinezët po financojnë ndërtimin e fabrika tejet ndotëse, dhe po u sigurojnë qeverive në rajon teknologjinë e mbikëqyrjes përmes video-kamerave të cilësisë së lartë. Po ashtu Kina po trajnon në mënyrë aktive brezin e ardhshëm të liderëve në zhvillim në të gjithë rajonin.
Ndërkaq, Moska ka luajtur për vite me radhë një rol sabotues, duke mbështetur dezinformimin, propagandën, nacionalistët dhe demagogët, një përpjekje për grusht shteti në Malin e Zi, dhe duke ndërhyrë në Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet ballkanike drejtohet nga politikanë të korruptuar vendas, që po ua bëjnë jetën edhe më të keqe qytetarëve të zakonshëm.
Tridhjetë vjet pas shpërthimit të luftës në ish Jugosllavi – atje ku kam lindur unë- vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të lulëzonin tashmë. Ashtu si fqinjët e tyre lindorë, ato duhej të ishin anëtarësuar në NATO dhe BE, dhe duhet të ishin partnerë të barabartë në familjen evropiane të kombeve.
Kjo ishte ëndrra e brezit tim:të mos shiheshim më nga lart si evropianë më të vegjël, të zhytur në të ashtuquajturat “urrejtje antike etnike”; si kushërinjtë e varfër jugorë që janë të paaftë të imitojnë vlerat evropiane. Përkundrazi, ne imagjinonim se ata do të na ndihmonin për të arritur siguri dhe prosperitet, për të pasur jetë më të mira nëpërmjet të qenit pjesë e BE-së.
Në vend të kësaj në të gjithë rajonin progresi po ndalet,ndërsa po thellohet destabiliteti. Ndikimi i Rusisë dhe Kinës po e inkurajon këtë proces, teksa BE-ja dhe Perëndimi po bëjnë pak për ta parandaluar këtë gjë. Për shembull, në Bosnjë Hercegovinë, kërcënimet me shkëputjen dhe dhunën, janë bërë tani një tipar i rregullt i politikës vendase.
Mohimi i gjenocidit është i shumë-përhapur. Dhe politikanët e huaj, nga kryeministri malazez tek ministri i Jashtëm rus, minojnë haptazi sovranitetin e Bosnjës. Rusia i dhuron tanke Serbisë, qëllimet ekspansioniste të së cilës në rajon janë shprehur hapur, dhe në të njëjtën kohë Beogradi kërcënon Bosnjen, duke thënë se “do të detyrohet të reagojë” nëse vendi mendon që t’i bashkohet NATO-s.
Pra me fjalë të tjera, nëse merr ndonjë hapat për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë e saj afatgjatë. Një projekt jo-zyrtar i bërë publik kohët e fundit, që propozon shpërbërjen “paqësore” të Bosnjë Hercegovinës – dhe që mendohet se është hartuar nga qeveria sllovene, e cila e mohoi gjithsesi përfshirjen – ishte i rrënjosur tek idetë nacionaliste të ditëve më të errëta të viteve 1990, ide që çuan në luftë, spastrim etnik dhe gjenocid.
Fakti që këto ide po diskutohen ende në kryeqytetet evropiane, tregon se sa pak është mësuar nga e kaluara e afërt. Mjerisht, përgjigja nga bashkësia ndërkombëtare ka qenë anemike. Anëtarësimi në BE, mund të cilësohet ende si kundërhelmi afatgjatë për lëvizjet separatiste, por nuk ka një progres serioz drejt zgjerimit të union, dhe asnjë plan alternativ.
Edhe për çështjen më të rëndësishme të momentit, pandeminë, reagimi ynë kolektiv ka munguar. Do të ishte e lehtë të sigurohej ndihmë për njerëzit dhe vendet fqinje me BE-në – vendet, e ardhmja e të cilave është e ndërthurur ngushtë me atë të të gjitha kombeve evropiane.
Kjo gjë do të ishte një kujtesë e fuqishme e forcës së BE-së dhe Bitanisë së Madhe si partnerë dhe miq. Megjithatë, prej shumë kohësh i është lënë rrugë e lirë Rusisë dhe Kinës.Por nuk ka pse të jetë kështu. Me një vizion dhe veprim të koordinuar nga BE dhe aleatët e saj – unë i kam kërkuar qeverisë britanike të jetë një partnere e fortë dhe e besueshme- ne mund t’i ndihmojmë njerëzit e rajonit që ta vendosin sërish Ballkanin në rrugën e duhur.
Ne duhet t’i vendosim përpara vlerat evropiane, të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe transparencës:Ne nuk mund të fitojmë sipas kushteve të kundërshtarëve tanë. Ne duhet të ushtrojmë presion për reforma dhe për institucione më të forta demokratike.
Ne duhet të mbështesim shoqërinë civile dhe të luftojmë korrupsionin. Dhe mbi të gjitha, ne duhet t’i rezistojmë me vendosmëri ideve të rrezikshme, të ndryshimeve të kufijve, mohimit të gjenocidit dhe nacionalizmit etnik, kudo dhe kurdo që ato të shfaqen.
Ne duhet të ofrojmë përfitime të prekshme për përparimin, dhe ndëshkime kuptimplota për çdo hap prapa që bëjnë vendet aspirante. Në terma konkretë, kjo do të thotë të mbështetet Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë-Hercegovinë, i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 që solli paqen në vend, duke përfshirë përdorimin e të ashtuquajturve Fuqitë e Bonit për të siguruar progres në rajon.
Kjo nënkupton gjithashtu përdorimin e mekanizmave evropianë të sanksionimit kundër atyre që synojnë të minojnë marrëveshjet e paqes, dhe refuzimin e kërcënimeve me shkëputje. Kjo gjë nënkupton ruajtjen e fondeve, dhe një angazhim politik, ushtarak dhe diplomatik.
Do të thotë gjithashtu të mendosh seriozisht se si të rimerremi me planet e pranimeve të reja në NATO dhe BE. Ka shumë arsye për të qenë shpresëdhënës mbi të ardhmen e Ballkanit. Por një strategji efektive për të kundërshtuar ndikimin në rritje rus dhe atë kinez, ringjalljen e nacionalizmit, dhe rrezikun në rritje të konflikteve, është e vonuar.
Historia na tregon se nëse nuk e provojmë tani këtë gjë me kushtet që vendosnim po ne vetë, ngjarjet do të na dalin nga kontrolli,dhe do të kërkojnë ndërhyrje shumë më të kushtueshme dhe komplekse në të ardhmen./abcnews