Comey: Administrata ‘Trump’ gënjeu dhe më diskreditoi mua e FBI-në
Drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey tha sot në dëshminë e tij se administrata e Presidentit Donald Trump përhapi “gënjeshtra për të” dhe “e diskreditoi” atë dhe FBI-në.
Ish-drejtori i FBI-së e hapi seancën e shumëpritur në Senat, duke thënë se motivacioni i administratës për shkarkimin e tij, e kishte bërë konfuz dhe e kishte shqetësuar.
Comey tha se kishte mbajtur shënime pas çdo kontakti me Presidentit Trump, sepse e dinte se mund të vinte një ditë që mund t’i duhet të vetëmbrohej.
Ai tha se nuk kishte ndjerë një nevojë të tillë me ish-Presidentin Obama.
“Shpresoj që të ketë kaseta”, tha Comey duke iu referuar sugjerimit të Trump se ai mund t’i kishte incizuar bisedat e tyre.
Trump kishte në plan ta ndiqte seancën në Shtepinë e Bardhë me ekipin e tij ligjor dhe këshilltarët e afërt.
Comey tha se e kishte interpretuar “udhëzimin” e Presidentit Trump se shpresonte që ish-drejtori i FBI-së, të hiqte dorë nga një hetim për ish-Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.
Senatori republikan James Risch pyeti nëse Comey ishte në dijeni të ndonjë personi që ishte akuzuar për pengim të drejtësisë, vetëm sepse kishte shprehur shpresën për një përfundim të caktuar. Comey thotë se nuk dinte ndonjë rast të tillë.
Por, ai shtoi më seancën në Senat se “e kishte interpretuar si udhëzim” dhe vuri në dukje se komenti ishte bërë në një takim kokë më kokë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara.
Comey tha se në një darkë në janar me Presidentin se ai “donte të siguronte diçka” në këmbim të mbajtjes së tij në detyrën e Drejtorit të FBI-së.
Comey tha për Presidentin Trump se “i besonte fjalës së tij” se ishte shkarkuar për shkak të hetimit të FBI-së për Rusinë.
Comey tha se komuniteti i zbulimit “ka bindje të fortë” se Rusia ndërhyri në fushatën e zgjedhjeve për të ndihmuar zotin Trump të fitonte ndaj rivales demokrate Hillary Clinton.
Në deklaratën e shkruar që i dorëzoi Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit, Comey tha se Presidenti Donald Trump i ka kërkuar atij besnikëri gjatë bisedave që të dy ata kanë pasur në Shtëpinë e Bardhë lidhur me hetimet e kësaj agjencie për disa zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të administratës. Dje pasdite, Komisioni publikoi paraprakisht një kopje të deklaratës prej shtatë faqesh që Comey do të paraqesë në hapje të një seance të shumëpritur të Komisionit.
Deklarata u bë publike dje pasdite, pak orë pas një seance të mëparshme të Komisionit të Zbulimit, në të cilën Drejtori i Zbulimit Kombëtar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Inteligjencës refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të senatorëve rreth Comey dhe hetimeve për Rusinë.
Në deklaratën e tij, Comey jep hollësi befasuese për pesë biseda që ai ka pasur me Presidentin Trump. Mes të tjerash ai lë të kuptohet se Presidenti i ka kërkuar të ndryshojë rrjedhën e hetimeve të FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane./VOA
KOHA JONË SONDAZH

