Conte paralajmëron tjetër paketë mbështetëse për të prekurit nga pandemia në Itali
Kryeministri italian Giuseppe Conte tha sot se qeveria e tij po përgatit masa të reja mbështetëse për ata që preken nga kjo krizë ekonomike për shkak të pandemisë .
Conte theksoi se masat do të miratohen shumë shpejt. “Jemi duke punuar për të arritur këtë qëllim, këto masa të reja mbështetëse do të miratohen shumë shpejt,” tha Conte.
Ai gjithashtu pranoi se “ka pakënaqësi të përhapur sociale dhe psikologjike nga ana e shumë qytetarëve dhe bizneseve”.
Në dy javët e fundit, qeveria e Romës ka ndarë 7.5 miliardë euro , nga fondet kombëtare, për të ndihmuar bizneset dhe punëtorët.
Duke iu përgjigjur rajoneve veriore të tilla si Lombardia , të cilat po bëjnë thirrje për heqjen e bllokimit lokal, kreu i qeverisë theksoi se “përhapja e virusit duhet të jetë e kufizuar dhe është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”.