Coronavirus/ Londra rezervon 300 dhoma hoteli për karantinimin e të pastrehëve
Londra do të rezervojë 300 dhoma hoteli për izolimin e të pastrehëve. Operacioni për të sjellë njerëz të pastrehë në dhomat e hoteleve filloi të premten mbrëma dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë fundjavës.
300 dhomat janë të vendosura në dy hotele në Londër. Të pastrehët do të drejtohen atje nëpërmjet kabinave të zeza të Londrës, për të shmangur përdorimin e transportit publik. Dhomat janë rezervuar për 12 javët e ardhshme.
COVID – 19 ka shkaktuar 177 viktima në Mbretërinë e Bashkuar dhe numri i rasteve është i lartë veçanërisht në Londër.
“COVID-19 na kërcënon të gjithëve, por ndikon në mënyrë disproporcionale ata më të brishtët, përfshirë këtu edhe të pastrehët” tha ministri britanik, Robert Jenrick gjatë një deklarate për shtyp.
Javën e kaluar, Franca mori masa të ngjashme, duke njoftuar se do të hapte “qendra të izolimit” në ndërtesa boshe në të gjithë vendin, për të pastrehët që janë të sëmurë me coronavirus, por nuk kanë nevojë për shtrimin në spital. /euronews/