COVID-19, 260 mijë të infektuar në 24 orë, mbi 7 mijë viktima, numri më i lartë në dhjetë muaj

Bota po njeh rritjen më të lartë të infektimeve të reja me Covid-19 që kur filloi pandemia. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i rasteve të reja të regjistruara në 24 orë arriti në rreth 260 mijë e po ashtu janë konfirmuar mbi 7 mijë viktima. Situata paraqitet më e vështirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazil, Indi dhe Afrikën e Jugut.

Vazhdon të rritet me ritme të shpejta numri i rasteve të reja dhe viktimave me koronavirus. Gjatë 24 orëve të fundit është shënuar një tjetër ditë rekord infektimesh me Covid-19 në të gjithë botën.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i rasteve të reja brenda 24 orëve arriti pothuajse 260 mijë, numri më i lartë i infektimeve qëkur filloi pandemia. Vendet me rritjen më të madhe të rasteve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazili, India dhe Afrika e Jugut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi gjithashtu se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 7 mijë e 360 të vdekur nga Covid-19, shifra më e lartë e viktimave që nga 10 maji. Sipas universitetit John Hopkins, të shtunën, shifra e të infektuarve shkoi zyrtarisht mbi 14 milion dhe mbi 600 mijë të vdekur.

Gjendja paraqitet problematike në ShBA, veçanërisht në shtetet jugore që fillimisht nuk donin të zbatonin karantinën apo t’i detyronin qytetarët të mbanin maska në publik. Florida, Teksasi dhe Arizona kanë shënuar rritje të jashtëzakonshme të rasteve.

Florida është aktualisht epiqendra e epidemisë amerikane. Ky shtet regjistroi mbi 10,000 infeksione të reja dhe 90 vdekje të tjera vetë të shtunën, duke e ngritur numrin e përgjithshëm të rasteve në 337 mijë dhe numrin e vdekjeve më shumë se pesëmijë.

Javët e fundit, spitalet në të gjithë shtetin paralajmëruan se ishin plot dhe nuk ishin në gjendje të pranonin ndonjë pacient të ri. Masat për të penguar përhapjen e virusit, përfshirë maskat, janë politizuar shumë në shtete amerikane.

SHKARKO APP