Covid-19/Bashkëpunim amerikano-gjerman, nis testimi te njerëzit
Një injeksion i thjeshtë, që ngjall shpresat se mund t’i japë fund pandemisë globale. Pfizer dhe partneri gjerman Biontech njoftuan se zhvilluan testet klinike të një vaksine potenciale te vullnetarët e parë në Shtetet e Bashkuara. Muajin e kaluar, 12 pacientë morën dozën e parë në Gjermani. Biontech thotë se të dhënat klinike tregojnë rezultate të mira. Ugur Sahin, CEO i Biontech ”Ne shohim një përgjigje të fortë të vaksinës edhe në dozat më të vogla. Besojmë se kjo përgjigje e fortë, që ne e kemi parë te kafshët, do të jetë e njëjtë edhe te njerëzit”.
Programi është quajtur BNT 162 dhe aktualisht shqyrton 4 vaksina në fazën e testit duke përdorur atë që quhet MRNA, qasje tek Acidi Ribonukleik. Kjo bën që trupi i njeriut të prodhojë një proteinë që nxit një kundërpërgjigje të sistemit imunitar kundër virusit. Dy kompanitë pretendojnë se nëse procesi i certifikimit shkon mirë, ata mund të prodhojnë miliona doza deri në fund të këtij viti, qindra milionë në 2021.
”Benefitet e një vaksine në një situatë pandemie janë shumë të mëdha, prandaj për aprovimin dhe autorizimin e saj në këtë kohë duhet të ndiqen rregulla të tjera nga ato që janë parë në të kaluarën”. Suksesi i bashkëpunimit amerikano-gjerman nuk është ende i garantuar dhe ka shumë hapësirë për gabime.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se aktualisht janë më shumë se 100 vaksina potenciale në zhvillim, edhe pse vetëm 8 janë aprovuar për teste klinike. Më premtuesja duket të jetë ajo që po eksperimentohet në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, ka shumë ekspertë në të gjithë botën që paralajmërojnë se ekziston dhe një mundësi se nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë kur vjen puna tek vaksina kundër virusit.