Covid – 19 “boshatis” burgjet – Turqia planifikon lirimin e 45.000 të dënuarve

Shpërthimi i pandemisë së coronavirus ka bërë që shumë shtete në botë të lirojnë të burgosurit, nga frika e përhapjes së virusit nëpër burgje.

Së fundmi, presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan ka propozuar një projektligj për të liruar 45.000 të burgosur. Ndër të tjera, parashikohet edhe arrest shtëpie për të dënuarit që janë mbi 65 vjeç dhe për gratë që kanë fëmijë nën moshën 16 vjeç.

Nga ana tjetër, një numër i lartë të dënuarish është liruar edhe në Iran. Si pjesë e masave urgjenteve për të ndaluar përhapjen e COVID – 19 ka qenë lirimi i 85.000 të burgosurve, për shkak të mbipopullimit në burgje.

Përsa i përket Italisë, si një nga vendet me përhapjen më të madhe të COVID – 19, janë bërë një sërë protestash nga shoqata të të drejtave të njeriut apo dhe vetë të burgosurit, për shkak të ndalimit të vizitave dhe faktit se mbi 10 të burgosur janë shënuar me coronavirus në burgje, ndër të cilët janë shënuar edhe viktima.

Përsa i përket Shqipërisë, leja e veçantë do t’u jepet atyre që kanë kryer vepra të lehta penale, që janë mbi moshën 60 vjeç dhe që vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike e rrezikshme për jetën. Lirimi ka një afat 3 mujor por në rast se do të zgjatet periudha e pandemisë, ajo mund të shtyhet deri në 6 muaj. Periudha e qendrimit në shtëpi do të njihet si periudhë kryerje dënimi.

Ndërkohë, shqetësimet mbi përhapjen e pandemisë së COVID – 19 janë ngritur nga shumë shoqata që mbrojnë të drejtat e njeriut, si në Nju Jork apo Venezuelë, pasi nga numri i lartë i të burgosurve, menaxhimi i përhapjes së pandemisë mund të dale jashtë kontrollit.

SHKARKO APP