Covid-19/Franca gati të lehtësojë masat, në Gjermani rënie e infektimeve
Qeveria franceze po punon për një kalendar të ri lehtësimi prej 4 fazash, në bazë të të cilit dyqanet, baret dhe restorantet do të rihapen më 19 maj dhe në fund të qershorit nuk do të ketë më shtetrrethim. Më 3 maj kufizimet për të lëvizur përtej distancës prej 10 km nga shtëpia do të hiqen dhe po ashtu nxënësit e gjimnazeve do të mund të kthehen fizikisht në shkolla.
Në Gjermani zyrtarët kanë mirëpritur një rënie të infektimeve të Covid-19 në ditët e fundit. Ata paralajmëruan se është ende herët për të festuar. “Kjo nuk mjafton. Të gjithë në institucionin tonë janë të lumtur nga rënia e shifrave, por është shumë herët për të folur për një trend”, u shpreh Lothar Wieler, president i Institutit Robert Koch.
Në ishullin e Procida-s, në Itali, vijon vaksinimi në masë. Të mërkurën, me rastin e ditës së parë kushtuar personave mbi 50 vjeç, u administruan rreth 700 doza vaksinash. Një shifër e ngjashme pritet të arrihet edhe të enjten, kur janë thirrur qytetarë të moshave nga 40 në 49 vjeç në qendrën e vaksinimit të ngritur në selinë e bashkisë së ishullit.