COVID-19, Italia do të bëjë testim masiv të popullsisë

Një numër i madh pacientësh kanë mbushur spitalet në Spanjë dhe Itali ndërsa numri i vdekjeve në rang global e ka tejkaluar shifrën prej 10 mijë personash.

Italia është vendi më i goditur në Evropë. Vetëm të premten u raportuan 627 vdekje të tjera, rritja më e madhe ditore për vendin, që nga fillimi i shpërthimit të virusit vdekjeprurës. Deri tani numri i vdekje në Itali ka arritur në mbi 4 mijë më shumë sesa Kina, ndërsa 47 mijë persona rezultojnë të infektuar.

Shifrat vazhdojnë të rriten pavarësisht vendimit të autoriteteve për një izolim mbarëkombëtar. Në këtë situatë, autoritetet italiane kanë vendosur të ndjekin modelin e Koresë së Jugut, ku epidemia shpërtheu thuajse në të njëjtën kohë me Italinë, por nuk pati kurrsesi këto përmasa. Të vdekurit atje janë vetëm 92. Arsyet janë dy: koreano jugorët ndoqën strategjinë e testimit masiv dhe kontrollit të lëvizjeve. Pas krizës së Mersi-t ( sindroma respiratore e Lindjes së Mesme) që patën në 2015-tën, drejtuesit në Korenë e Jugut nisën një proces reformash që detajoi kontrollin e shtetit dhe pasuroi ndjeshëm bazën e të dhënave.

Kështu shteti kishte qasje të madhe ndaj filmimeve nga kamerat e sigurisë, të dhënat e gjurmimit me GPS të telefonëve dhe automjeteve, transaksioneve me kartë krediti, informacione mbi emigracionin dhe detaje të tjerë personale të njerëzve që në këtë rast, mund të kenë pasur kontakt me virusi. Duke shfrytëzuar pikërisht një database të tillë, janë gjurmuar të prekurit dhe personat që mund të kenë pasur kontakte me to. Për këtë është shfrytëzuar deri dhe teknologjia satelitore, ndërsa janë realizuar edhe me qindra mijëra teste mbi popullatën.

SHKARKO APP