COVID-19/ Maqedonia e Veriut mban në fuqi orën policore
Pas rritjes së numrit të viktimave dhe rasteve të reja me COVID-19, qeveria e Maqedonisë së Veriut do të mbajë orën policore deri më 6 prill.
Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 e mbrëmjes deri ora 05:00 të mëngjesit.
Ministria e Shëndetësisë, gjatë ditës ka njoftuar për 1.315 pacientë të shtruar nëpër qendrat Covid të Shkupit dhe qyteteve të tjera, kurse njoftohet se ka rreth 340 shtretër të lirë. Për shkak të mbushjes së kapaciteteve spitalore, shumë klinika në spitalin e Shkupit tashmë janë shndërruar në qendrat Covid.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili ka marrë pjesë në një mbledhje të Shtabit Kryesor të Krizës, nuk ka përjashtuar mundësinë e rivendosjes së masave tjera shtrënguese, nëse situata epidemiologjike vazhdon të përkeqësohet. Një gjë të tillë e kishte paralajmëruar kohë më parë edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Në Maqedoninë e Veriut, që nga fillimi i epidemisë, numri i infektimeve me COVID-19 po shkon rreth 120.000. Për momentin janë mbi 15.000 raste aktive, kurse deri më tani betejën me koronavirusin e kanë humbur afër 3.500 pacientë.