Covid-19 në Itali: Karantinë 14-ditore për qytetarët e Rumanisë e Bullgarisë
Italia ka shtuar në listën e vendeve të pasigurta nga ana epidemiologjike, dy vendet ballkanike, Rumaninë dhe Bullgarinë.
Me një urdhër të firmosur nga ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza, Italia ka vendosur që të gjithë personat që gjatë 14 ditëve të fundit kanë udhëtuar apo kanë kaluar tranzit në Rumani dhe Bullgari, duhet të qëndrojnë 14 ditë të karantinuar nëse hyjnë në territorin italian.
Kjo masë vazhdon të jetë në fuqi për vendet jashtë zonës Schengen.
“Virusi vazhdon të qarkullojë dhe duhet akoma kujdes ndaj tij”, deklaroi kreu i shëndetësisë italiane.
Deri më tani në Itali janë shënuar 35,097 viktima nga Covid-19 dhe janë regjistruar 245,590 të infektuar.