Covid-19 shtyn zgjedhjet në Hong-Kong, procesi elektoral i 6 shtatorit shtyhet prej rrezikut të pandemisë
Hong-Kongu si shumë vende të tjera të botës ka vendosur të shtyjë zgjedhjet për legjislativin me një vit për shkak të pandemisë. Opozita atje thotë se ky është shkak i rremë sepse qeveria nuk do që të ndeshet me votën kundër të qytetarëve.
Shtimi i të prekurve me koronavirus në javët e fundit shtyu të premten qeverinë e Hong-Kongut të pezullojë me një vit zgjedhjet e përgjithshme.
Keri Lem, guvernatorja e rajonit gjysmë-autonom kinez, deklaroi se vendimi merret në interes të 7 milionë e gjysmë qytetarëve të saj, kur dihet se sëmundja deri tani ka infektuar 3,200 persona dhe bilanci sa vjen e rëndohet me më shumë se 100 pacientë të rinj çdo ditë.
Sipas politikanëve që përkrahin Pekinin, qendrat e votimit mund të shërbejnë si vatra për përhapjen e kovidit, ndërsa kritikët e shohin shtyrjen e zgjedhjeve si pretekst që njerëzit të mos shprehin bindjet e tyre antiqeveritare veçanërisht në këtë periudhë.
Përpara procesit të 6 shtatorit, autoritetet një ditë më parë skualifikuan nga gara mbi 12 kandidatë opozitarë, me arsyet se kishin komplotuar me shtetet e huaja dhe ishin kundër ligjit të miratuar mes polemikave për sigurinë e Hong-Kongut.
Xhoshua Uong, një nga aktivistët më të njohur për të drejtat dhe demokracinë në qytetin gjysmautonom, i quan këto pretendime mashtrime elektorale skandaloze.
“Zërin tonë e lëshuam qartë dhe fort për botën në raundin paraprak të zgjedhjeve. Ne jemi për lirinë dhe të drejtat që parasheh Deklarata e Përbashkët dhe Ligji Themelor. Duke më përjashtuar mua nga gara nuk ndalet kauza jonë për demokraci, edhe pse kjo qeveri shumë shpejt mund t’i shpallë aspiratat demokratike të paligjshme, me ligj.”
Këshilli Legjislativ i Hong-Kongut përbëhet nga 70 deputetë, gjysma prej të cilëve zgjidhen nga publiku dhe gjysma tjetër nga grupet e interesit, kryesisht bizneset, dhe këshillat rajonalë.
Opozita në Hong-Kong tregon se me ligjin aktual, zgjedhjet në qytetin kinez mund të shtyhen vetëm me 14 ditë dhe çdo vonesë tjetër do të krijonte një krizë kushtetuese.
Për Kinën, procesi zgjedhor është një problematike e brendshme për të cilën nuk do ndërhyjë.
27 persona kanë humbur jetën prej koronavirusit në Hong-Kong, ndërsa rajoni tani shprehet se po përjeton një valë të tretë të pandemisë, pas atyre të janarit dhe marsit të sivjetshëm.
Vatrat e fundit të infeksionit mendohet se janë provokuar nga lehtësimi i rregullave të karantinës dhe të distancimit social dhe tubimet në rastet e protestave antiqeveritare.