DASH anulon vizitën në Tajvan të ambasadores amerikane në OKB
Një udhëtimi i planifikuar në Tajavan nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Kelly Craft, është anuluar nga Departamenti i Shtetit. Ambasadorja Craft do të mbërrinte në Tajvan të mërkurën për një vizitë tre-ditore, ku përfshiheshin takime me Presidenten Tsai Ing-wen dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Por zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus lëshoi një dekleratë të martën ku thuhej se po anuloheshin të gjitha udhëtimet zyrtare këtë javë, për shkak të kalimit të pushtetit tek administrata e re e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, i cili merr drejtimin e vendit të mërkurën e ardhshme me 20 janar.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili po ashtu anuloi një udhëtim të planifikuar në Evropë këto ditë, njoftoi të shtunën se Shtetet e Bashkuara do të lehtësonin të gjitha kufizimet që Uashingtoni kishte për kontaktet mes zyrtarëve amerikanë dhe homologëve të tyre tajvanezë.
Në Kinë, Zhu Fenglian zëdhënës i Zyrës së Punëve për Tajvanin u tha gazetarëve të mërkurën se kundërshton fuqishëm të gjitha kontaktet zyrtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit.
Pekini e konsideron ishullin e qeverisur në mënyrë demokratike si pjesë e territorit të tij, pavarësisht shkëputjes së Tajvanit në fund të luftës civile kineze në vitin 1949, kur forcat nacionaliste të Çan Kai Shekut u dëbuan nga kontinenti nga forcat komuniste të Mao Ce Dunit dhe ikën në Tajvan.
Në vitin 1979, Uashingtoni njohu Republikën Popullore të Kinës dhe zhvendosi marrëdhëniet diplomatike nga Taipei në Pekin. Por administrata e Presidentit Trump e ka zemëruar Kinën pas afrimit gjithnjë e më të madh me Tajvanin si në rrugë diplomatike ashtu edhe ushtarake që kur zoti Trump mori pushtetin në vitin 2017.
Kina shtoi fluturimet ushtarake në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, pasi Sekretari i Shëndetit dhe Sherbimeve Njerëzore Alex Azar vizitoi Tajvanin në muajin gusht dhe Nënsekretari i Departamentit të Shtetit Keith Krach vizitoi atë vend një muaj më vonë./VOA