DASH heq gazetaren nga grupi i medias që do të shoqërojë sekretarin Pompeo në Ukrainë

Departamenti amerikan i Shtetit hoqi një gazetare të Radios Publike Kombëtare nga ekipi i medias që do të shoqërojë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo gjatë një turneu që ai do të fillojë së shpejti, sipas njoftimit të një shoqate shtypi dhe radios në fjalë.

Largimi i korrespondentes Michele Kelemen vjen pak ditë pasi zoti Pompeo u përplas me një tjetër gazetare të kësaj radiojeje, kur ajo po e intervistonte në Departamentin e Shtetit.

Heqja e gazetares Kelemen, e cila ishte pjesë e grupit të korrespondentëve që do të shoqërojnë zotin Pompeo gjatë turneut në Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainë, Bjellorusi dhe Azinë Qendrore, mund të shihet vetëm si hakmarrje për intervistën e koleges së saj, tha Shoqata e Korrespondentëve të Departamentit të Shtetit, SDCA.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Korpusi i shtypit i Departamentit të Shtetit ka një traditë të gjatë të shoqërimit të sekretarëve të shtetit gjatë udhëtimeve të tyre dhe ne e shohim të papranueshme faktin që ndëshkohet një anëtare e shoqatës sonë”, tha Shaun Tandon, kreu i shoqatës, në një deklaratë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gazetarja Kelemen mbulon Departamentin e Shtetit prej dy dekadash. Ndërkohë, Departamenti i Shtetit nuk i është përgjigjur një kërkese për koment.

Zoti Pompeo u intervistua të premten nga gazetarja tjetër e Radios Publike Kombëtare (NPR), Mary Louise Kelly, ku u pyet në mënyrë të përsëritur në lidhje me Ukrainën dhe shkarkimin e ambasadores amerikane në Kiev, Marie Yovanovitch. Intervista zgjati 9 minuta dhe vazhdoi me një reagim të ashpër të Sekretarit të Shtetit.

Largimi i ambasadores Yovanovitch ishte një ngjarje me rëndësi në lëvizjet që nxitën ngritjen e akuzave ndaj Presidentit Donald Trump nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët muajin e kaluar. Pas intervistës, gazetarja Kelly tha se zoti Pompeo e kishte fyer dhe se kishte përdorur disa herë një fjalë të ndyrë, duke e pyetur: “Ju mendoni se amerikanët duan t’ia dinë për Ukrainën?”

Në një deklaratë të shtunën, zoti Pompeo tha se gazetarja gënjeu përsa u përket kushteve për të cilat ishte rënë dakord paraprakisht për intervistën dhe se nuk e respektoi marrëveshjen se biseda që vijoi pas intervistës do të ishte jashtë procesverbalit. Megjithatë, në deklaratën e tij nuk mohohej varianti i dhënë nga gazetarja mbi mënyrën se si kishte rrjedhur biseda pas intervistës.

Radioja Publike Kombëtare tha se i qëndronte variantit të saj për bisedën.
Ndërkohë, të hënën, kjo radio konfirmoi largimin e gazetares Kelemen nga grupi i mbulimit. Radioja tha se ishte e informuar që korrespondentja nuk do të udhëtonte me grupin, por nuk iu dha ndonjë arsye se përse.

“Ne kërkojmë me respekt nga Departamenti i Shtetit që të rishikojë vendimin dhe të lejojë gazetaren Michele (Kelemen) të udhëtojë për këtë turne,” tha zoti Tandon i SDCA.

Udhëtimi në Ukrainë
Zoti Pompeo, i cili do të bëjë një vizitë zyrtare në Ukrainë duke filluar nga e enjtja, do të jetë zyrtari më i lartë amerikan që do të udhëtojë në këtë vend që prej fillimit të procesit që synon shkarkimin e presidentit.

Marrëdhënia e tij me shtypin ka qenë e tensionuar që nga muajt e parë të tij në këtë post, por është përkeqësuar më tej pas fillimit të procesit kundër presidentit. Zoti Pompeo, ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, ka shprehur shqetësim për insistimin e gazetarëve për të pyetur mbi Ukrainën.

Zoti Pompeo herë pas here u është kundërvënë gazetarëve kur ata i kanë bërë pyetje për akuzat ndaj Presidentit Trump, duke e quajtur interesimin e vazhdueshëm të mediave për këtë çështje si “marrëzi” dhe “zhurmë”.

Ai ka thënë se mbështet të gjithë punonjësit e Departamentit të Shtetit, por ka refuzuar, deri më sot, të ofrojë publikisht fjalë mbështetjeje për ish ambasadoren Yovanovitch.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?